Pretendim i ri: Logoja e FSK-së nuk është orgjinale, ja nga kush e përvetësoi Albion Gagica (FOTO)

Ideja e stemës apo emblemës së Forcave të Sigurisë së Kosovës e shndërruar në ushtri, u bë temë ditëve të fundit, pasi që një kompani e sigurimit fizik në Amerikë e përdori atë.

Stema me kokën e shqipnojës e dizajnuar nga Albion Gagica u vërtetua se ishte marrë nga kompania në fjalë dhe jo e kundërta, pasi që u largua nga faqja zyrtare.

Dhe kur u duk se u hësht kjo çështje, në skenë del Luljeta Pula, dikur funksionare e lartë e Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë.

Ajo thotë se Albion Gagica nuk e ka realizuar logon orgjinale siç pretendon ai, shkruan Ballkani.info.

Pula thotë se Gagica përdori idenë bazikë të logo të bërë në vitin 2002 nga bashkëshorti i saj, Ekrem Beqiri, për ish Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Ajo e ka prezantuar logon orgjinale të vitit 2002 e cila ishte bërë me kërkesë të Agim Çekut, atëherë komandant i TMK-së.

Logoja ngjason shumë në atë të dizajnuar nga Albion Gagica në vitin 2008 për FSK-në.

“Po e shikoja ditë më parë e emocionuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Dhe logon e saj, e bindur se në esencën e saj ishte po ajo logo të cilën vite më parë e kishte dizajnuar bashkeshorti im Prof Dr. Ekrem Beqiri, tanimë i ndjerë. E kishte punuar atë më 2002 për TMK -në me kërkesë të komandantit të atëhershëm z. Agim Çeku”, thotë Pula.

Sipas saj, rastësisht e ka kuptuar se autorësinë e logos e kishte përvehtësuar Albion Gagica, duke e quajtur të veten, të fituar mbi bazë të një konkursi.

“Iu drejtova z. Çeku në adresën zyrtare të postës elektronike me lutje që të prononcohet për të vërtetën. Dhe prita, por përgjigje nuk pati . Këto ditë u dëgjua në opinion një akuzë ndaj “ autorit “ të logos se ky ishte një plagjiat i nje logoje të një kompanie amerikane të sigurimeve . E quaj të parëndësishme kush kend e ka kopjuar nga keta te dy tani. E vërteta është se idea bosht, pra idea bazike e logos dhe porosia e idesë është e Ekremit, e dizajnuar e para me 2002. Koka e shqiponjës me flatrat e saja të moderuara e të dizajnuara me mesazhin përkatës. ”Korrigjimet” kozmetike që gjoja autori i bën origjinalit , si mbyllja e gojës së shqiponjës dhe flatrat e hapura në kënd në vend të atyre horizontale, me qellim të fshehjes të së vërtetës dhe bërjes së diferencës, në asnjë mënyrë nuk mund të pretendojnë përvehtësimin e origjinalit.E as përvehtësimin e esencës së porosisë dhe komponentës artistike të logos origjinale. Po e nxjerrë në këtë postim variantin e logos së Ekremit dhe logon e “autorit“. Si dhe logon e shtypur metalike e të praruar që TMK ia dha Ekremit në shenjë mirënjohjeje”, thekson ajo.

Ajo tutje shton se gjithçka është shumë e dukshme, e qartë dhe mund të vlerësohet e gjykohet nga të gjithë.

“Nuk ka asnjë dyshim se ndryshimet kozmetike dhe “ korrigjimet” e detajeve nuk mund te përvehtësojnë peshën e idesë themelore, idesë bosht e kruciale dhe mesazhit të saj. Ndaj autori i logos bazë të Ushtrisë së Kosovës, pavarësisht pretendimeve manipulative dhe justifikimeve spekulative mbetet Prof. Dr . Ekrem Beqiri. Logo e TMK -së punuar nga Prof. dr. Ekrem Beqiri me 2002. Logo e Ushtrisë së Kosovës e punuar nga “autori “. Albion Gagica Logo e Ekremit e praruar dhuruar në shenjë mirënjohjeje nga kreu i TMK- së”, thotë Pula në fund. /Ballkani.info/