Prishtinë

Pret përkrahjen e Luksemburgut për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha priti sot në takim ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Paul Schmit, me të cilin diskutoi për programet e përkrahjes nga ky vend për procesin e integrimit, me theks të veçantë liberalizimin e vizave.

Me këtë rast ministrja Hoxha çmoi rolin e Luksemburgut në përkrahjen dhe donacionet për shtetndërtimin e vendit tonë, duke thënë se reformat dhe fuqizimi i administratës dhe asistenca për zbatimin e MSA-së, janë pikat e forta të kësaj përkrahjeje.

Po ashtu, ministrja kërkoi mbështetjen e Luksemburgut për të votuar pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave.

Ndërsa, ambasadori Schmit, theksoi rëndësinë e zbatimit të MSA-së si dhe reformën gjithëpërfshirëse e cila rezultoi jo vetëm me liberalizimin e vizave, por edhe proceset tjera integruese si anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si dhe procesin integrues euro-atlantike.

Aktualisht janë duke u zbatuar projekte në vlerë prej 22.5 milionë eurove, si në arsim, shëndetësi dhe sektorin e ujërave, derisa Luksemburgu, gjatë periudhës 2017-2020 për projekte të ndryshme, ka planifikuar përkrahjen e institucioneve të Kosovës me vlerë 30 milionë euro.