Presidentja Osmani kujton Sali Çekajn: Ishte njëri ndër komandantët më të shquar të UÇK-së

Presidentja Vjosa Osmani, e ka përkujtuar sot heroin e kombit Sali Çekajn, i cili 23 vjet më parë humbi jetën në fushëbetejën në Koshare.

Osmani në dedikimin e saj, thotë se Çekaj ishte njëri ndër komandantët më të shquar të UÇK-së.

”Sot kujtojmë heroin e kombit, Sali Çekajn, i cili 23 vjet më parë ra në fushëbetejë, në Koshare.

Çekaj ishte njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I mbrujtur me tiparet më të mira të popullit shqiptar, trimërinë, bujarinë, besnikërinë, dashurinë ndaj atdheut, familjes dhe shokëve, ai e nisi qysh herët veprimtarinë në të mirë të atdheut e të kombit.

Qysh më 1981 iu kundërvu regjimit të atëhershëm jugosllav, në demonstratat e njohura të atij viti. Më pas e vazhdoi veprimtarinë politike këtu e jashtë atdheut.

Bashkë me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarë tjerë, Saliu iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku u shqua si strateg ushtarak.

Urdhri “Hero i Kosovës” dhe “Medalja e Pavarësisë”, të cilat ia ndau presidenti i parë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, janë mirënjohja që vendi ynë ka për veprimtarin e tij, Sali Çekajn.

I përjetshëm kujtimi për të!”.