Njofton presidenca

Presidentja Osmani emëron 8 anëtarë të KQZ-së, për dy të tjerë i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Presidenca përmes një komunikate drejtuar mediave ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani emëron 8 anëtarë të KQZ’së. Ndërkohë që për dy gjyqtar të tjerë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ndihmë.

Në njoftim thuhet se emërimet janë bërë konform propozimeve nga subjektet politike dhe ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

Tutje, thuhet se për dy anëtarë të tjerë ekziston një paqartësi e dispozitave kushtetuese, ku më pastaj presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Betimi i gjyqtarëve të KQZ do të bëhet në gjatë ditëve në vijim:

Presidentja Osmani ka emëruar tetë anëtarë të KQZ-së

Presidentja e Republikës së Kosovës  Vjosa Osmani sot, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka emëruar tetë anëtarë të KQZ-së. Këto emërime janë bërë konform propozimeve nga subjektet politike dhe ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi. Për emërimin e dy anëtarëve të tjerë ekziston një paqartësi e dispozitave kushtetuese, ku si rrjedhojë Presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretimin e Nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u bazuar në nenin 84 si dhe nenin 113 të Kushtetutës.

Përkatësisht, kërkesa për interpretim adreson paqartësitë e ngritura në dy raste. Së pari, kërkohet interpretimi, në frymën e Kushtetutës, i nocioneve “grupi” a “grupet” të interpretuara së bashku me fjalën “mund” (në nenin 139(4), në rastin kur kemi më pak se gjashtë subjekte politike të përfaqësuara në Kuvend dhe të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara si dhe kur njëri grup fiton mbi 50% të votave në zgjedhje. Së dyti, kërkohen sqarime lidhur me emërimin e përfaqesuesit nga komuniteti boshnjak kur kemi tri subjekte politike në Kuvend të cilat e përfaqësojnë këtë komunitet dhe kanë numër të barabartë të deputetëve të përfaqësuar në Kuvend.

Me të marrë përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese, Presidentja e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për emërimin e dy anëtarëve të mbetur të KQZ-së. Betimi i anëtarëve të KQZ-së do të bëhet gjatë ditëve në vijim.