Vjosa Osmani

Presidentja kishte hedhur poshtë mundësinë që ajo ta çojë draft-statutin në gjykatë: S’mundem pa vendim të Qeverisë

Pas kërkesave të Presidentit të Francës dhe Kancelarit të Gjermanisë për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që më pas Kosova të sigurojë anëtarësimin në Këshill të Europës, publicisti Veton Surroi në një shkrim autorial ka propozuar që Presidentja Osmani të lëvizë. Ai thotë se shefja e shtetit ka obligim dhe të drejtë ta bëjë këtë, ndonëse Osmani këtë çështje e kishte adresuar diku një javë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke thënë se s’mund të bëjë diçka të tillë pa vendim të qeverisë.

Publicisti Veton Surroi sot tha se “meqë kemi të bëjmë me një gjendje të papërmbyllur ligjore (dekret, ligj, marrëveshje)” sa i përket Asociacionit, sipas tij, institucioni i vetëm i cili mund të ecë tutje në “zgjidhjen e mesme” është Presidentja e vendit.

“Ajo ka të drejtë që ta dërgojë Draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”.

Por, të kundërtën e kësaj e kishte thënë vetë presidentja Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës para disa ditësh.

Ajo tha se pa një vendim të qeverisë nuk mund ta bëjë këtë.

“Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerrë ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113”.

Ajo tha se në të kaluarën ka ekzistuar kjo e drejtë dhe se është shfrytëzuar shfrytëzuar disa herë.

“Mirëpo që nga viti 2018 e tutje, nëpërmjet aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është kufizuar kjo e drejtë e Presidentes. Pra, patjetër duhet të ketë akt paraprak të qeverisë, i cili jo domosdoshmërish duhet të pajtohet me përmbajtjen e statutit, por të gjendet një mënyrë që të përcillet tutje”, tha Osmani.

Aleatët kyçë të Kosovës tashmë kanë vënë si kusht progresin urgjent drejt themelimit të Asociacionit që Kosova të ketë sukses në votimin përfundimtar të Komitetit të Ministrave gjatë një votimi në këtë muaj.

Megjithatë, para se të vijnë këto kërkesa drejt Kosovës, Osmani kishte thënë se plani ishte që të përfundojë marrëveshja e sekuencimit në raport me Serbinë rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që përcakton cili hap i zbatimit duhet i pari, cili i dyti dhe kështu me radhë.

“Sapo të përfundojë plani i sekuencimit, natyrisht që Kosova, ashtu siç parashihet edhe në vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, duhet të dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu që edhe për shkak të sigurisë, e cila është e domosdoshme për shkak të stabilitetit, i cili është parakusht për paqe, por mbi të gjitha për shkak se duhet ta ruajmë funksionalitetin e shtetit tonë, duhet të jemi të sigurt që gjithçka të jetë në përputhje me Kushtetutën para se të ndërmerren hapa për zbatimin e plotë të Asociacionit”, kishte thënë Osmani.

“Procesi i dakordimit, në Marrëveshjet e 2013 e 2015 nuk është i natyrës së verifikimit të akteve të kryera ligjore. Kështu, Kosova nuk duhet të presë që të arrihet një marrëveshje e përmbyllur ligjore  (si p.sh. Ligji për Asociacion, Statut i Asociacionit a diçka të ngjashme),  në mënyrë që të bëjë verifikimin se a i përshtatet kornizës juridike të vendit. Këtë e ka dëshmuar më 2015 kur objekt i verifikimit në Gjykatën Kushtetuese nuk ishte një draftstatut të Asociacionit, por një sërë parimesh që do ta ndërtonin atë”.