“Presidenti Pinokio” dhe “lideri i Vetëfundosjes” takohen për t’u marrë vesh për mandatarin e qeverisë

Pasi e refuzoi tri herë me radhë ftesën e presidentit Hashim Thaçi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vendosur ta caktojë vetë datën për takimin në të cilin do të flitet për mandatarin e qeverisë së ardhshme. 6 janari i propozuar nga Vetëvendosja, duket të jetë në rregull edhe për presidentin, pasi i njëjti përmes një shkrese zyrtare i është përgjigjur pozitivisht ofertës për takim.

Takimet mes të dyve nuk janë të shpeshta e as të zakonshme. Të njëjtit prej vitesh kanë hedhur akuza prej më të ndryshmeve kundrejt njëri-tjetrit.

Madje Kurti pati thënë se kur i pari i vendit do ta caktojë atë për mandatar të Qeverisë, “më në fund do ta ketë mundësinë të bëjë diçka të mirë si president”, shkruan Koha.net.

E punën e Thaçit në pozita të ndryshme qeverisëse, Kurti gjithmonë e ka cilësuar si të dëmshme për vendin.

Shtatorin e 2018-ës, Vetëvendosje kishte organizuar protestë me sloganin “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, për të kundërshtuar kështu idenë e shkëmbimit të territoreve dhe udhëheqjen e dialogut me Serbinë nga Thaçi.

Në kohën kur presidenti solli idenë për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, i pari i VV-së e kishte quajtur atë “President Pinokio” duke thënë se kjo ide ishte karrem për aventurat e tij.

“Një zgjerim i rrenave, jo i territorit. President Pinokio”, ishte shprehur ai.

Ideja e shkëmbimit të territoreve, për Kurtin ishte inspirim që ta quajë Thaçin me emra të ndryshëm.

Nga “kriminel” e “zhvatës”, ai e kishte quajtur të parin e vendit edhe “president qyqe”.

“Ne duhet të angazhohemi për protesta dhe ta ndalojmë qëllimin e Thaçit, për ta ndalur shitjen e Kosovës. Jo të na ndryshojë kufijtë një kriminel që është i shquar për dallavere me Serbinë. Nuk mund të lejojmë një president qyqe dhe as një kryeministër zhvatës. Ne duhet të angazhohemi për Republikën e tretë e që është Republikën e punësimin e të drejtës”, kishte deklaruar Kurti.

Ai madje kishte thënë se ai ishte “gjysmë president i Kosovës dhe gjysmë i Serbisë”.

“Prandaj Presidenti Thaçi është veçse gjysmë President i Kosovës. Gjysma tjetër e tij është president për Serbinë. Duket që gjysmë Presidenti nuk ka tavan për dëmet që mund t’ia bëjë Kosovës drejt ndihmës që ai do t’ia japë Serbisë”, pati thënë Kurti, kur kishte folur për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe marrëveshjen me Serbinë.

Ndërkaq kur në pyetje ishte demarkacioni me Malin e Zi, Kurti pati thënë se brenda pesë viteve mund të ketë luftë në Ballkan, e këtë deklaratë Thaçi e kishte quajtur qesharake dhe të rrezikshme.

“I ashtuquajturi president i Kosovës, përveç tjerash, paska thënë që deklarata e Albinit është njëkohësisht edhe qesharake edhe e rrezikshme. Si mund të jetë qesharake diçka që është e rrezikshme? Po, pra, qenka e mundur atëherë kur injoranti ordiner të instalohet si ‘president’. E pranoj që znj. Jahjaga na paska qenë më e logjikshme se ky teveqel. Dështimi i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi më 1 shtator 2016, atë marrëveshje të 26 gushtit 2015 e vulosi si marrëveshje personale të Thaçit. Tash, le ta varë atë dokument tradhtie e krimi në mur të tij, ky që do të duhej ta mbante atë si aktakuzë në qeli burgu”, kishte thënë Kurti për Thaçin.

E patjetër që me emra të ndryshëm e kishte ilustruar figurën e Kurtit edhe Thaçi.

Madje ky i fundit e kishte akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se financohet nga disa individë iranianë.

Ai kishte thënë se njerëzit përreth Kurtit janë ideatorë të krijimit të organizatës terroriste “Syri i Popullit”.

Thaçi, nga një konferencë për media i kishte porositur gazetarët t’i pyesnin udhëheqësit e Vetëvendosjes për lidhjet që kjo parti ka krijuar me njerëzit e presidentit të Rusisë, Vlladimir Putin.

“Pyeteni atë kush janë ata individë nga Irani që ia financojnë partinë. Nëse nuk mundet as ai të përgjigjet, le ta pyes Glaukun ose familjarët e tij. Gjithashtu lideri i Vetëvendosjes duhet të përgjigjet për lidhjet që ka krijuar me njerëzit e Putinit që i kanë instaluar në Ballkanin Perëndimor, dhe takohet nganjëherë me ta”, kishte thënë Thaçi, duke shtuar se edhe “ata e dinë që Thaçi i di këto gjëra”, transmeton Koha.net.

E shpejtë, Kurti ishte përgjigjur, duke thënë se “Thaçi shpif si polic në bodrume hetuesie, akuzon si prokuror në farsa prej gjyqi”.

Në kohën kur Thaçi mbante pozitën e kryeministrit, e Lëvizja Vetëvendosje protestonte në kufijtë e Kosovës kundër mallrave serbe, Thaçi pati thënë se kjo e fundit po e ndjek modelin serb, madje e kishte quajtur “Lëvizja Vetëfundosje”.

Në një emision televiziv kur ishte pyetur se çfarë mendimi kishte për Vetëvendosjen, Thaçi ishte përgjigjur se nuk mendon fare për ta.

Të dy këto figura pritet t’i bashkojë të hënën konsultimi për mandatar të Qeverisë së ardhshme i cili është planifikuar të mbahet në orën 15:00.