Nga emisar “jokredibil” te përkrahja për të – “Ndryshimi pozitiv” i Thaçit karshi BE-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndryshuar qëndrim në raport me Përfaqësuesin Special të BE’së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, emërimin e të cilit e kishte kritikuar. Në shkurt të këtij viti Thaçi e quajti diplomatin sllovak “emisar jokredibil”.

Presidenti Thacit, të hënë pati vizitën e parë zyrtare brenda Bashkimit Evropian, prej që ndaj tij është dorëzuar një aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria e Hagës. Ai e takoi Lajçakun, e të dy ishin shumë të kënaqur nga biseda. Këto fjalë nuk i kanë pasur para disa muajve.

Më 3 prill 2020 Këshilli i Bashkimi Evropian kishte caktuar Miroslav Lajçakun në pozitën e Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor me mandat një vjeçar.

Thaçi, përmes Tëitter’it, para emërimit në pozitën e Emisarit Special të BE’së, ia kujtoi Lajçakut votën e tij kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Sllovakinë shtetin prej nga vjen ai që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke shkruar se misioni i tij i ri si Përfaqësues Special për dialogun është i destinuar të dështojë.

Ndaj këtij shkrimi kishte reaguar zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, duke i replikuar Thaçit në profilin zyrtar në Tëitter se është i habitur për qëndrimet e pasakta dhe jokorrekte në lidhje me emërimin e Lajçakut pasi ai nuk ishte caktuar ende në atë pozitë dhe të njëjtën e kishte marrë me 3 prill.

Por, gjashtë muaj më pas duket se Thaçi e Lajçak kanë përmirësuar marrëdhëniet.

Presidenti kosovar dhe diplomati sllovak kanë biseduar virutalisht para katër ditësh rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, i cili është shtyrë shkaku i mospajtimeve rreth negociatave për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Thaçi dhe Lajçak janë takuar dje në Bruksel sy më sy, pas takimit presidenti Thaçi ka deklaruar se Miroslav Lajçak ka përkrahjen e tij të plotë në procesin e dialogut.

“Një bisedë e shkëlqyeshme me Miroslav Lajçak në Bruksel. Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen finale. Ne na duhet BE’ja, dhe BE’së i duhemi ne. Ne duhet të veprojmë. Lajçak ka përkrahjen time në këtë proces”, ka shkruar Thaçi në Tëitter.

Takimi i fundit i paraparë të mbahej më 28 shtator mes negociatorëve në nivel teknik të Kosovës dhe Serbisë është shtyrë për datë të pacaktuar siç është njoftuar nga Lajçak shkaku i pandemisë Covid-19.

Dy takimet e fundit mes Skender Hysenit dhe Marko Gjuriqit në Bruksel janë përcjellur me tensione në tavolinën e bisedimeve shkaku i refuzimit të palës kosovare që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë datë të saktë se kur do të zhvillohet raundi i ri i bisedimeve në nivel teknik dhe atë të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano në një përgjigje për Express ka deklaruar se datën e takimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë do t’a shpallin kur të jetë e përshatshme.

“Puna është në vazhdim e sipër për përgatitjen e takimeve të mëtejshme në kuadrin e Dialogut. Ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimeve të ardhshme – qoftë në nivelin e ekspertëve apo në nivelin e lartë politik – kur është e përshtatshme”, ka thënë ai.