Presidenti i Trepçës ’89: Nëse ndeshja ishte e kurdisur, jo 8 vjet, por 80 vjet shkoj në burg

Ndeshja shumë e përfolur ndërmjet Trepçës’89 dhe Llapit ka ndezur alarmin dhe tashmë kanë nisur hetimet për këtë ndeshje e cila dyshohet e ishte e kurdisur.

Drejtori i Departamentit të Sportit pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj në “Arena Sportive” në RTK, ka thënë se tashmë ka nisur të hetohet kjo ndeshje.

Derisa kjo ka bërë të reagoj presidenti i Trepçës’89, Abedin Zeka duke i cilësuar si shpifje.

“Nuk ka asgjë të vërtetë këtu. Këto gjëra kanë filluar të fliten 2-3 ditë para ndeshjes. Trepça’89 i ka të gjitha klubet mike dhe jo vetëm Llapin. Në atë ndeshje kanë qenë treshja më e mirë e gjyqtarëve dhe ka pasur vetëm 3 minuta shtesë. Gjitha golat janë shënuar në minutat e rregullt jo në shtesë. Llapi gjithmonë ka qenë disavantazh e jo në avantazh.

Ne Llapin e kemi mposhtur edhe më herët me rezultat me të thellë me 8:1. E kisha lutur prokurorin dhe gjithë sportistët që të fillojnë hetimet ndaj kësaj ndeshje por edhe gjitha ndeshjeve tjera. Unë tash po e kuptoj që Trepça’89 po i pengojka dikujt me qenë në Superligë. Trepça’89 nuk po bojka me fitu dhe po dashka vetëm me hup. Ne hupëm pikë me Vushtrrinë e Dukagjinit dhe ata njerëz që po shkruajnë nëpër “Facebuka” dihet kush janë.

Le të kthenen vetëm një javë më herët dhe ta shikojnë si ka përfunduar ndeshja Flamurtari – Dukagjini. Ai djali që ka shkruar është dashur të shkruaj edhe për atë ndeshje.

Unë ju them se nëse ka diçka të vërtetë, jo vetëm 8 vite por 80 vite do të shkojë në burg”, ka thënë Zeka në RTK.