Për transferimin e yllit kosovar Vedat Muriqi nga Rizespor në Fenerbahçe është përfolur shumë gjatë kohës së fundit. Tani, presidenti i Rizesporit e ka konfirmuar se janë në bisedime me Fenerbahçen për ta arritur një marrëveshje.

Presidenti i Rizesporit, Hasan Kartal, bëri të ditur se është në bisedime me presidentin e Fenerbahçes, Ali Koç, për transferimin e Vedat Muriqit gjatë afatit kalimtar të verës.

“Nuk e kemi vendosur një çmim për Muriqin. Ka klube që e duan atë. Nuk e dimë se me kë do të flasim gjatë afatit kalimtar, por e dimë këtë gjë: Jemi duke u takuar me Ali Koçin”, ka thënë Kartal.

E përditshmja turke, Sabah, raportoi para disa ditëve se Fenerbahçe dhe Rizespori kanë arritur marrëveshje në parim për Muriqin. Sulmuesi kosovar do të transferohet në ditët në vijim tek gjiganti turk për një shumë që sillet nga 3 deri në 3,5 milionë euro.

Ai kishte oferta edhe nga Franca, ku e do Toulouse dhe nga Spanja, ku e pëlqen Real Betisi. Por, vendimtare ishte dëshira e futbollistit për t’u transferuar te Fenerbahçe, një klub të cilin e simpatizon që nga fëmijëria.

Muriqi ka realizuar 17 gola dhe ka dhënë tetë asiste në 36 ndeshje të zhvilluara.