Vazhdojnë paqartësitë rreth finales së dytë të Kupës Libertadores.
Pas incidenteve të rënda kur u sulmua autobusi i Boca Juniorsit në hyrje të stadiumit Monumental, nga tifozët e River Plate dhe si rrjedhojë u shty sfida e finales së Kupës se Libertadores, përballja mes dy klubeve është zhvendosur tashmë nëpër zyra.Kjo pasi dy klubet, në bashkëpunim edhe me CONMEBOL, kanë vendosur paraprakisht që sfida të luhet më 8 ose 9 dhjetor, në një stadium jashtë Argjentinës, por drejtuesit e dy skuadrave janë përfshirë edhe në polemika në distancë, gjatë orëve të fundit.
Boca nuk dëshiron që ndeshja të zhvillohet dhe kërkon ta fitojë takimin 3-0 në tavolinë. Në anën tjetër, Rodolfo D’Onofrio, president i River Plate i ka bërë thirrje kundërshtarëve të mbajnë fjalën dhe të hyjnë e të luajnë në fushë.
“Mjaft u morët me fjalë. Duhet të vini për të luajtur. Duhet të mbani fjalën që na e keni dhënë dhe të luani futboll, qoftë edhe sikur të shkojmë për të luajtur në hënë”, deklaroi D’Onofrio, në një mesazh për klubin rival.







