Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda vizitë dyditore në Shqipëri

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, me ftesë të presidentit Bajram Begaj, më 10-11 maj do të zhvillojë vizitë zyrtare në Shqipëri.

Andrzej Duda do do të shoqërohet në vizitë edhe nga zonja e parë e Polonisë, Agata Kornhauser-Duda.

Sipas njoftimit për shtyp të presidencës, kjo është vizita e parë zyrtare pas 20 vitesh e një presidenti polak në Shqipëri.

Presidenti i Polonisë, Duda pritet të mbërrijë në Shqipëri, më 10 maj, ndërsa më 11 maj ora 11:00 do të pritet me nderimet e rastit nga Presidenti Begaj, në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Pas ceremonive të mirëseardhjes, të dy Presidentët do të zhvillojnë një takim të veçantë dhe më pas do të kryesojnë delegacionet e të dy vendeve në një takim të zgjeruar, ndërsa në mbarim të takimit, të dy presidentët do të zhvillojnë një konferencë për media, shkruan Atsh. Në pjesën e dytë të ditës, në orën 16:30, të dy presidentët do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik, që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet.

Presidenti Duda do të shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi sipërmarrësish polakë, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH). Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të zhvillojë edhe një vizitë të shkurtër në qytetin e Krujës.