Presidenti amerikan Donald Trump thotë se e ka merituar Nobelin për Paqe

Presidenti amerikan, Donald Trump, mendon se ishte anashkaluar nga nominimet për shpërblimin Nobel për Paqe, vitin e kaluar.

Gjatë një tubimi në Ohio, Trumpi u ankua publikisht.

Edhe pse nuk e përmendi fituesin e Nobelit, ishte e qartë që Trumpi po i referohej kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed, raporton KTV.

Abiy Ahmed, 43 vjeç, është lideri afrikan më i ri në moshë.

Ai erdhi në pushtet në prill të 2018-s, pasi disa muajsh protestash antiqeveritare, që e detyruan paraardhësin e tij të jepte dorëheqje.

Abiy ka prezantuar reforma masive liberale në Etiopi. Ai liroi mijëra aktivistë të opozitës nga burgu dhe i lejoi disidentët e mërguar të ktheheshin në shtëpi. Ai gjithashtu ka lejuar që media të operojë lirshëm dhe i emëroi gratë në pozicione të larta.

Por, analistët e kanë vënë në dyshim rolin e Trumpit si ndërmjetësues mes Etiopisë dhe Eritresë. Ndikimi i SHBA-së në bisedimet e paqes ishte minimal.

Emiratat dhe Arabia Saudite luajtën rol kryesor për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes mes këtyre shteteve.

Sidoqoftë, Trumpi ende nuk e ka uruar zyrtarisht kryeministrin e Etiopisë për Nobelin.

Ndërsa vajza e tij, Ivanka, e cila shërben si këshilltare e lartë dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, e kanë bërë një gjë të tillë.

Trump ka thënë publikisht se ai meritonte nominimin për Nobelin e Paqes.

Ai ka përmendur shumë arsye, pa lënë anash përpjekjet e tij për ta bindur liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, që të hiqte dorë nga armët bërthamore.