Presidenca ‘tallet’ me huqjen e Rekës – ‘Ministri i korridorit të Serbisë ta lexon Kushtetutën e Kosovës se nuk po e di’

Adil Behramaj, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj ministrit në detyrë të Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, duke i rekomanduar ta lexon Kushtetutën e Kosovës sepse nuk po e di.

Behramaj e ka quajtur Rekën si ministër i korridorit të Serbisë dhe se nuk po e di dallimin mes Masës së Përkohshme të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit final të saj.

Ky reagim nga këshilltari i Thaçit vjen pasi ministri në detyrë Reka, në Facebook’in e tij ka shpallur zyrtarisht si vendim final interpretimin për masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese.

Postimi i plotë nga Behramaj:

Shihni perlën e radhës së Blerim Rekës, Ministrit të Integrimit të Serbisë në Detin Adriatik përmes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri i korridorit serb paska konstatuar mbrëmë shkelje të Kushtetutës, pa e ditur as dallimin në mes të Masës së Përkohshme dhe vendimit final të Gjykatës Kushtetuese.

O tranzitministër, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar vetëm shkeljet tuaja të shumëfishta që ua keni bërë të drejtave themelore të njeriut, me nga dy herë brenda dy javëve.

Mosrespektimi i vendimeve nga kjo Qeveri do të thotë nuk duhet të jetë aspak befasi. Dhe, nuk ka si të jetë befasi kur as Ministri i Integrimeve nuk e dinë çfarë është Masa e Përkohshme dhe nuk arrin ta dallojë atë nga vendimet finale të Gjykatës Kushtetuese!

Tranzitministër, nëse nuk e kupton dot, lëre anash pak Kelsenin dhe lexoje Kushtetutën e Kosovës!