Presidenca

Presidenca për Kryeprokurorin: Presim nga KPK t’i adresojë shkeljet procedurale të përmendura në letër

Presidenca e Republikës së Kosovës, pavarësisht dërgimit të emrit të kandidatit Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit, nuk do të ndërmarrë asnjë veprim, por pret që Këshilli Prokurorial i Kosovës, të adresojë shkeljet procedurale në një proces të ri për Kryeprokuror.

“Të gjitha çështjet janë trajtuar në letrën/njoftimin e Presidentes, të datës 17 tetor. Presim nga KPK që t’i adresojë shkeljet procedurale të përmendura në atë letër, në një proces të ri”, thuhet në një përgjigje nga zëdhënësi i Presidentes, Bekim Kupina, transmeton lajmi.net.

Ndryshe, më 17 tetor 2023, në një konferencë për medie, Presidentja Vjosa Osmani bëri të ditur se e ka njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës se duke u bazuar në shkeljet që janë evidentuar në proces, nuk mund ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokuriorial të Kosovës në lidhje me këtë vlerësim të procedurës, duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon të mos bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, sipas propozimit të Këshilit Prokurorial”, kishte deklaruar Osmani.

Në atë konferencë, Presidentja tha se gjatë gjithë procesit është kujdesur maksimalisht që me veprimet e saj si Presidente t’i shmang ndërhyrjet potenciale në proces. Ajo tha se janë marrë parasysh vlerësimet e organizatave joqeveritare dhe atyre ndërkombëtare. Megjithatë, Presidentja tha të ketë pranuar kërcënime të cilat nuk i ka raportuar tek organet e rendit.

“Çdo letër tjetër që KPK dërgonte, për faktin se e dinte të gjitha arsyet pse s’po merret vendimi, ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues dhe në kundërshtim me çdo praktikë të mahershme të komunikimit ndërinstitucional…njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të vëmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart”, kishte deklaruar ajo.

Po ashtu, në një intervistë për Betimi për Drejtësi, Osmani kishte renditur shkeljet që janë evidentuar në këtë proces, kurse theksoi se për dekretimin e Kryeprokurorit ka pranuar edhe kërcënime.

Në po të njëjtën ditë, KPK i kishte reaguar Presidentes Osmani lidhur me mosdekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të ri të Shtetit. Sipas tyre, deklaratat e Osmanit ishin “më tepër të ndërtuara mbi një rrafsh politik sesa kushtetues e ligjor”. Aty thuhej se u vërtetua përpjekja sistematike për shtrirje të ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Kosovës.

“KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetue. Këshilli Prokurorial vlerësoi se, deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhej nga KPK-ja.

Në anën tjetër, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, pas vendimit të Presidentes, u thirrje autoriteteve të Kosovës, që të ruajnë parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit. Kurse, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë se procesi për përzgjedhjen e zyrtarëve gjyqësorë, përfshirë kryeprokurorin e shtetit, duhet të jetë i drejtë dhe i bazuar në merita.

Kurse, më 25 tetor 2023, KPK e ka dërguar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

KPK, në këtë letër drejtuar Presidentes, ka vlerësuar se ajo është lëshuar në nivelin e vlerësimit të meritave të procesit të rekrutimit si dhe meritave të kandidatëve.

“KPK, konsideron se në rrethanat e rastit konkret, të lëshuarit tuaj në nivelin e vlerësimit të meritave të procesit të rekrutimit si dhe meritave të kandidatit/ëve, ka cenuar thelbësisht kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të Këshillit, prandaj për arsyet e poshtëcekura, ka ardhur në përfundim se rrugëzgjidhja e krizës institucionale në çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit,, e zvarritur nga ana juaj për më shumë se një vit e gjysmë, mund të gjendet vetëm duke e  rishikuar aktin tuaj…”, thuhet në këtë letër.

Sipas KPK-së, mosdekretimi e Blerim Isufajt konsiderohet si ndërhyrje jokushtetuese në pavarësinë e Këshillit për disa aspekte që sipas KPK-së janë kundërkushtetuese në veprimet e mosdekretimit.

Ndryshe, para vendimit të Presidentes, Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë, ku ishte konstatuar se prokurori Shqipdon Fazliu pas afatit ligjor kishte kontestuar procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit në gjykatat e rregullta.

Kujtojmë se më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte votuar  unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim ishte në duart e presidentes Vjosa Osmani. Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.

Po ashtu, ditën kur KPK kishte propozuar Isufajn për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ambasadori i SHBA’së, Jeffrey Hovenier, kishte reaguar dhe përmendur vërejtjet për procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit të Shtetit.

“Ne jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK-ja i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimit tonë në KPK si institucion publik… Fakti që anëtarët e KPK-së e shpërfillën ligjin ankesat dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bien ndesh me atë standard”, kishte shkruar diplomati amerikan.

Ndaj këtij procesi, kishin reaguar edhe Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.

Për më tepër edhe Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2022, ka theksuar zhgënjimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile për mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e zhvilluar nga KPK.

“Emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit është në pritje që nga prilli i vitit 2022 dhe është i vonuar. BE-ja dhe akterët e tjerë ndërkombëtarë, si dhe shoqëria civile, shprehën publikisht zhgënjimin për mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e përzgjedhjes. Procedurat e stërzgjatura kanë shkaktuar një gjendje paqartësie, e cila ul funksionimin e institucioneve”, thuhet ndër të tjera në këtë Raport.

Për të diskutuar rreth procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit, Presidentja Osmani më 21 prill 2022 kishte pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile.

IKD ka theksuar vazhdimisht nevojën që Kryeprokurori i Shtetit të dalë nga një proces i cili ka integritet të pakontestuar.