Presidenca akuza për Thaçin, shkeli ligjin kur e largoi flamurin dardan nga objekti

Nga sot flamuri dardan do të valojë sërish në Presidencë. Kjo pasi që ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që ai të valojë bashkë me flamurin e Kosovës dhe atë të Bashkimit Evropian, në objektin ku gjendet Kuvendi i Kosovës dhe Presidenca.

Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, në një deklaratë ka thënë se këto simbole janë përdorur edhe nga ish-presidentët Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.

Sipas tij, të njëjtat janë hequr nga përdorimi nga presidenti paraprak dhe atë pa asnjë vendim apo bazë ligjore.

Sipas tij, për këtë arsye u.d. Presidentja, Vjosa Osmani ka marrë vendim për përdorimin e simboleve të njëjta, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Simbolet janë përdorur nga presidentët Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga, ndaj u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani-Sadriu ka marrë vendim për përdorimin e simboleve të njëjta, në përputhje me legjislacionin në fuqi.  Në vitin 2000, Presidenti Rugova kishte vendosur që këto të jenë simbole presidenciale. Në të shkruan qartë: stema/vula e presidentit të Kosovës. Por, këto as nuk kanë qenë e as nuk janë simbole partiake”, ka thënë Kupina për Express.

Ai më tej bëri të ditur se të gjitha shtetet kanë vulë, stemë dhe flamur presidencial, siç mund të dëshmohet prej shteteve të rajonit e deri në SHBA.

“Ndryshe, të gjitha shtetet kanë vulë, stemë dhe flamur presidencial, siç mund të dëshmohet prej shteteve të rajonit e deri në SHBA”, ka thënë më tutje ai.

Për sa i përket heqjes së përdorimit të këtyre flamujve në presidencë nga presidenti paraprak, Hashim Thaçi, këshilltari i Osmanit pohoi se është bërë pa asnjë vendim apo bazë ligjore.

“Të njëjtat janë hequr nga përdorimi nga presidenti paraprak dhe atë pa asnjë vendim apo bazë ligjore. Ndaj, vendimi është marrë në përputhje me nenin 1, paragrafi 2, të Ligjit nr.03/L/094, për Presidentin e Republikës së Kosovës. Vendimi i është marrë me qëllim që të harmonizohet çdo akt që del nga Presidenca ta ketë stemën, siç potencohet në ligj”, ka thënë Kupina.

Kujtojmë që posa e mori në duar udhëheqjen e shtetit, ish-presidenti Hashim Thaçi pati marrë vendim që të heq logon me flamurin dardan dhe vulën presidenciale të ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, nga komunikimet me ndërkombëtarë.

Asokohe ky veprim i Thaçit shkaktoi reagime të shumta në vend.