Premtimi për shamitë, ish-këshilltari i Kurtit i kërkon Nagavcit lejimin e tyre në shkolla

Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Durim Berisha, i ka dërguar një kërkesë Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, me të cilën i ka kërkuar anulimin e nenit të udhëzimit administrativ që ndalon bartjen e uniformës në shkollat publike.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka kërkuar që anulimi të bëhet për shkak të pavlefshmërisë absolute të këtij neni.

Ai ka publikuar edhe kërkesën që ia ka dërguar ministres.

Postimi i plotë:

Sot i jam drejtuar ministres së Arsimit znj. Arbërie Nagavci me një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ, përmes të cilit është ndaluar paligjshëm dhe arbitrarisht pjesëmarrja e vajzave me mbulesë në procesin mësimor.

Ajo dispozitë edhe ashtu është dispozitë absolutisht e pavlefshme, por që formalisht do duhej fshirë nga Udhëzimi Administrativ, me qëllim që të kursehemi nga situatave të panevojshme.

Marrë parasysh se ministria nuk po e bën një gjë të tillë sipas detyrës zyrtare, ashtu si parashihet me ligj, shpresoj që do ta përmbushin këtë detyrim ligjor pas kësaj kërkesë. /Demokracia.com/