Përkundër zotimeve të shumta dhe premtimeve publike në dy mandate radhazi, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka dështuar të përmbushë një numër të konsiderueshëm projektesh që i kishte paralajmëruar gjatë fushatave zgjedhore. Sipas institutit GAP, më shumë se dhjetëra premtime të tij kanë mbetur pa u realizuar. Vlen të ceket, banimi për veteranët e UÇK-së, për të cilin Ahmeti ishte krekosur duke premtuar se “do ta bëjmë”, por që nuk u realizua asnjëherë.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili është në mandatin e tij të tretë, i kishte dhënë gjithsej 61 premtime për këtë mandat.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, deri më tani:

28 premtime janë përfunduar,

13 janë gjysmë të përmbushura,

7 janë në fazë fillestare, ndërsa

13 premtime nuk kanë filluar fare.

Premtime të mëdha, punë të pakta: Çka (nuk) realizoi Imri Ahmeti për Lipjanin gjatë mandatit të tij - Insajderi - Lipjana

Një pjesë e këtyre zotimeve të papërmbushura kanë të bëjnë me projekte që prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve.

Premtimi për banimin e veteranëve

Sipas Institutit GAP 13 punime që ishin premtuar nuk kanë filluar ende.

Një prej tyre është edhe lagjia e veteranëve të UÇK’së.

Në vitin 2013, në fushatë zgjedhore, Imri Ahmeti, ishte krekosur duke kritikuar të tjerët që premtuan, por nuk e bënë lagjen e veteranëve të UÇK-së në këtë qytet.

“Do ta bëjmë”, kishte thënë ai.

Pas kësaj periudhe ai ka vazhduar që të zgjidhej Kryetar i Lipjanit, por kurrë më nuk e ka përmendur e as punuar në këtë projekt. As pas 12 vitesh, projekti nuk është kryer.

Rreth kësaj për Insajderin ka folur edhe shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Arsim Jashari i cili tha se “Po, banimin për veteranët e ka premtuar, por nuk e ka realizuar”.

Premtimi për ndërtimin e një parku së bashku me tregun e gjelbër

Premtimi tjetër “ndërtimi i parkut së bashku me tregun e gjelbër në hapësirën prapa Shkollës Fillore “Vëllezërit Frashëri”.

Siç thuhet në Institutin GAP, ky projekt nuk ka filluar ende.

Premtime të mëdha, punë të pakta: Çka (nuk) realizoi Imri Ahmeti për Lipjanin gjatë mandatit të tij - Insajderi - image 201

Insajderi ka kontaktuar me komunën e Lipjanit lidhur me këtë projekt. Në përgjigjen e tyre thuhet se “Tregu i gjelbër është ndërtuar tek shkollat e mesme (ndërkohë që vazhdon të funksionojë edhe tregu i vjetër)“.

Këtë e ka demantuar Shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Arsim Jashari.

Ai tha se “S’ka treg të gjelbërt. Ni treg i ka dështu komplet, s’ka funksonu asnjëherë”.

Premtimi i një shkolle fillore në qytet

Premtimi për “një shkollë fillore në qytet”, ka mbetur premtim i pa realizuar.

Imri Ahmeti gjatë fushatës zgjedhore, qytetarëve lipjanas ua kishte premtuar edhe një shkollë fillore në qytet, por që nuk u realizua. Kështu thotë Arsim Jashari nga opozita.

“Shkollën fillore në qytet e ka premtuar, por nuk e ka realizuar”, tha Jashari.