Janë të panumërta konferencat për shtyp të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku porsi trumbet i frynte fjalëve se “emrat serbë (të qyteteve) nuk do të zhduken kurrë nga Kosova”; e që madje dërgonte edhe të birin e tij në Kosovë me fanelë me mbishkrim se “nuk ka dorëzim”; frazë kjo që shënonte lajtmotivin e tij gati dy-vjeçar.

Dhe krejt ky tregim – se “nuk ka dorëzim” – nisi me targat që lëshoheshin kaherë prej MUP-it të Serbisë me denoninime serbisht të qyteteve të Kosovës që u kishte skaduar afati edhe sipas vetë marrëveshjeve në Bruksel.

Për ato targa u dorëhoqën sikur me një të shtypur të butonit mbarë serbët nga institucionet në veri të Kosovë, pasuan në disa raste dhjetëra barrikada me persona të armatosura e që kulmuan në sulmin paraushtarak të Banjskës në Zveçan më 24 shtator.

Por, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjersa rrugët e Beogradit ishin përplot mllef e indinjatë nga mashtrimi dhe vjedhja zgjedhore e 17 dhjetorit, e nxorri kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në mesa të natës për të njoftuar tashmë se Qeveria e Serbisë ka pranuar targat RKS: dhe kjo pas konvertimit të plotë të veturave me targa “KM, PZ, etj” në ato të Republikës së Kosovës.

Targat “nuk i pranuam ne”, u shprehën ata, “por qeveritë e kaluara…dhe Borko Stefanoviqi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dha një “lexim” të tij ndaj këtij vendimi të Serbisë: “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”; teksa mesazhin e dërgonte kah BE-ka të mos e marrin këtë vendim për gjoja kontruktivitet të palës serbe.

Për studiuesen e mirënjohur të rajonit, profesoreshën në Universitetin e Amsterdamit dhe autoren e veprës “Gjykimi i Papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, Nevenka Tromp “është e qartë se Vuçiqi po zmrapset” teksa në leximin e saj thotë se “po të ishte lojë shahu do të ishe në pozicion defanziv duke e mbrojtur mbretin nga ‘camels mate’”.

Në një bisedë me Nacionalen, Tromp e sheh krejt këtë si manovër të Vuçiqit “si një veprim për t’i kundërvënë politikanëve si Sandulloviq bën një ‘lëshim bujar’ për targat e Kosovës me të cilën së kënaq Perëndimin duke u shtirur se është ‘i arsyeshëm e racional’”.

Dhe kjo, “në lidhje me Kosovën vetëm e vetëm që të monopolizojë prap temën dhe ta bëjë Perëndimin të kuptojë që është i vetmi partner në Serbi që mundet dhe kryen punë”.

Sa i përket ndonjë zgjidhjeje të plotë të telasheve Kosovë-Serbi, Tromp nuk sheh se presidenti aktual serb mund të bëjë ndofarë hapi të madh pasi që “asnjë politikan në Serbi nuk është i përgatitur të hyjë në librin e historisë serbe si lideri që ‘dha’ Kosovën”:

Por ama, shprehet e bindur, kur Vuçiqi të jetë nën presion nga Beogradi mund “të marrë veprime të çuditshme impulsive” e që si rrjedhojë “mund të hapin realitete të reja për Kosovën”.

“Mendoj se edhe ai do të përpiqej në të ardhmen ta ‘zhbëjë’ këtë vendim, por nuk do të mund ta bëjë. Pra, politika e hapave të vegjël – duke bërë lëshime të vogla dhe jo aq të vogla – mund të çojë në pranim de facto (ndonëse jo në njohje aktive) të pavarësisë së Kosovës”, beson Nevenka Tromp.

Duke folur për rastin e Sandulloviqit, Nevenka Tromp na thotë se “Vuçiqi ngren bastet përbrenda” referuar rrahjes dhe torturës së rëndë që iu bë atij pas kërkim faljes publike në Prekaz të Skenderajt.

“Vuçiqi nuk mund të përballojë që ndofarë politikani t’ia merr nga dora temën e Kosovës – dhe aq më pak dikush si Sandulloviqi që publikisht thotë se pavarësia e Kosovës është fakt i pakthyeshëm”, tha Tromp për Nacionalen.

Në dritën e kësaj, ajo i sheh “lëshimet zemërgjere” të pranimit të targave RKS, teksa shton edhe se “megjithatë, ai do të bëjë gjithçka për t’iu shmangur pranimit të pavarësisë e Kosovës”.

Ndërkaq për eksperin kroat të çështjeve politike rajonale, Davor Gjenero – janë dy anë të kësaj lëvizje të Serbisë për të pranuar targat RKS. E para, vjedhja famëkeqe e zgjedhjeve të Serbisë më 17 dhjetori dhe pasojat që mund t’i vinë nga organet e larta evropiane si dhe dëmtimi i besueshmërisë ssë vetes nga Vuçiqi në rastin e Banjkës.

“Prandaj, tash hapësirën e manovrimit tash e ka paksa të vogël se sa para disa muajve. Është e qartë se nuk ka pasur ndofarë politike solide publike në lidhje me targat që nga fillimi i incidentit dhe veçse provonte të shtynte zgjidhjet që ishin ndërtuese të pavarësisë së Kosovës”, tha Gjenero për Naconalen.

“Pas mashtrimit zgjedhor në Serbi ai është në pozicionin të parandalojë çfarëdo veprimi nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian kundër Serbisë. Ndërsa, nga ana tjetër, pas sulmit terrorist në Banjskë kundër Kosovës nga vetë shteti serb ai tashmë nuk është aktor i besueshëm për BE”, tha ai.

Për Gjeneron, fillimviti 2024 “dha sinjale tepër të mira” për Kosovën dhe shprehet se në fakt “mund të jeni optimistë për arritjet në lidhje me shtetësinë tuaj të pavarur gjatë këtij viti” teksa u referohet liberalizimit të vizave, zmbrapsjen e Serbisë për targat RKS dhe njohjen e pasaportave nga Spanja.

“Mendoj se tash jemi në situatë që me politika të mençura të Kosovës në negociata, Kosvoa mund të zbatojë të gjitha çështjet më të rëndësishme në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, dhe Kosova të zbatojë marrëveshjen për Këshillin e Përbashkët të Komuniteteve (lexo: Asociacionin) por jo si Republika Srpska por të ngjashme me modelin kroat të përfaqësimit të serbëve si shumicë në komuna”, tha eksperti kroat.