Pozita e re nuk do ta shkëpusë Cholletin nga rajoni dhe Kosova

Derek Chollet ka qenë një nga njerëzit kryesor të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili i ka kushtuar kohë edhe procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Cholletin shpesh herë e kemi parë teksa ka ndërhyrë me telefonata nga Washingtoni, ndërkohë ai vetë ka realizuar edhe vizita në rajon, specifikisht Kosovë dhe Serbi, për të prezantuar kërkesën amerikane për vazhdimësi të dialogut deri në marrëveshje dhe shpesh herë edhe për mos tensionim të situatës.

Chollet pas gati tre vite shërbim në ekipin e Blinken, është nominuar për të marrë pozitën e Nën-Sekretarit të Mbrojtjes për Politikë. Para tre ditësh ai ëshgtë nominuar nga Presidenti Joe Biden në këtë pozitë ndërsa tani pritet të konfirmohet nga Senati amerikan.

Por, pavarësisht kësaj lëvizje brenda Qeverisë amerikane, puna e Chollet do të jetë përsëri e lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të veçantë edhe Kosovën. Në rast se do të konfirmohet në pozitën e re, Chollet do të kryejë edhe detyrën e këshilltarit të Sekretarit të Mbrojtjes për të gjitha çështjet që ndërlidhen me formulimin e strategjisë dhe politikës së sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes.

Detyra e Chollet do të jetë krijimi dhe mbikëqyrja e strategjisë dhe politikës së sigurisë ndërkombëtare si dhe politikën ushtarake në lidhje me qeveritë e huaja dhe institucionet e tyre mbrojtëse, përfshirë edhe rregullimet për praninë e forcave amerikane, përdorimin e objekteve ushtarake në vendin pritës, aksesin në territorin e vendit pritës dhe të drejtat e funksionimit dhe mbrojtjen e statusit për personelin e Departamentit të Mbrojtjes të vendosur jashtë SHBA-së.

Detyrë e Nënsekretarit të Mbrojtjes për Politikë është edhe komunikimi me zyrtarë të tjerë qeveritarë dhe anëtarë e përfaqësues të qeverive të huaja, sipas rastit, për kryerjen e përgjegjësive dhe funksioneve të caktuara.

Këto përgjegjësi, do ta mbajnë të lidhur Cholletin me Kosovën pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prani ushtarake në Kosovë dhe kanë një nga bazat më të mëdha e cilat njihet si “Bondsteel”. Gjithashtu Kosova ka një bashkëpunim tejet të ngushtë me SHBA-në sa i përket procesit të tranfsormimit të FSK-së në ushtri dhe rruga e ushtrisë së Kosovës drejt NATO-s është e lidhur tepër me SHBA-të.

Chollet si këshilltar i Blinken në disa raste ka ndërhyrë sa i përket zhvillimeve në kuadër të dialogut me Serbinë, duke zhvilluar disa herë telefonata me kryeministrin Albin Kurti. Në disa raste për të kërkuar që gjërat të ecin përpara, e në disa raste edhe për të zgjidhur ngërçe sporadike. Chollet ka vizituar Kosovën në janar të këtij viti, ku edhe kishte kërkuar nga Kosova një propozim për Asociacionin.

Ai po përflitet se ditëve në vazhdim pritet që ta zhvillojë edhe një vizitë në Kosovë, vizitë kjo që po konsiderohet si një nga më të rëndësishmet./GazetaExpress/