Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurtin është partia e cila ka fituar më së shumti vota. Që nga publikimi i rezultateve, kjo parti është duke negociuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila ka dal e dyta, në mënyrë që të krijojnë një koalicion për bashkëqeverisje.
Zgjedhja e Kurtit kryeministër i Kosovës, e obligon atë të jap dorëheqje nga i pari i partisë. Të paktën kështu thotë statuti i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Neni 73 – Pika 3:
Nëse Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! zgjidhet kryeministër, jep dorëheqje nga pozicioni i Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”.
Edhe pse në këtë parti ende nuk është diskutuar për këtë çështje, njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri thotë se VV-së do i duhet të zgjedh kryetarin e ri.
“Nëse Kurti zgjedhet kryeministër ai nuk mund t’i ushtrojë dy funksione, por duhet të zgjedhin dikë tjetër. Kryetar duhet të jetë dikush i cili është përfaqësues i vizionit Kurti dhe dikush i cili ia lëshon vendin Kurtit pas katër vite ose pesë, por edhe i cili bashkëpunon me Kurtin kryeministër sepse ai pa e pas partinë nuk do mund të bëhej kryeministër. Kryeministër nuk është zgjedhur prej qytetarëve por prej partisë dhe programit të saj. Se kush do bëhet a do të jetë një i fort i cili e sfidon Kurtin nuk e besoj, as dikush i cili ka servilitet, duhet të jetë dikush i respektuar”, ka thënë Tahiri për lajmi.net pa dashur të përmend ndonjë emër.
Tahiri ka theksuar se zgjedhja e kryetarit të ri do të jetë e vështirë, pasi VV më të mirët e saj do t’i bëj ministra.
“Vetëvendosje njerëzit më të mirë do t’i bëj ministra dhe partia do të jetë në shërbim të qeverisë me i ndihmu programit vetqeverisës. Tash me më pyet mua më leht do të ishte me prolongu këtë vendim për me e ndrru kryetarin por nëse kjo nuk bëhet do të ishte më mirë t’i vazhdohet mandati Kurtit,nëse as kjo nuk ndodh duhet të bëhen zgjedhje demokratike dhe të kandidojnë më shumë anëtarë”, është shprehur analisti.
Ndërkohë, Neni 10 i Statutit të VV-së thotë:
“Aktivistët që kandidojnë për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për Sekretar Organizativ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duhet të jenë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më së paku 3 vjet”.
Vlen të theksohet se VV-së dhe LDK-së, së fundi ia ka vështirësuar punën, koalicioni Nisma-AKR të cilët sipas të gjitha gjasave do të jenë pjesë e legjislaturës së re. Me hyrjen e këtij koalicioni në Kuvend, Vetëvendosje i humb tre deputetë, ndërsa LDK një.
VV dhe LDK do të obligohen të bëjnë koalicion edhe me një parti të tretë, pasi do mbesin vetëm me 57 ulëse, numër ky që ia pamundëson krijimin e qeverisë.







