Arijanet Muriq

Portieri i Kosovës në garë për pritjen e muajit

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ka pasur paraqitje të shkëlqyera për Burnleyn në Premier League.

Me Muriqin në portë, Burnley ka nisur të marrë edhe rezultatet pozitive.

25-vjeçari debutoi në elitën angleze me Burnleyn në fitoren 2:1 ndaj Brentfordit.

Më pas, Muriq kompletoi edhe dy ndeshjet që përfunduan baraz, 2:2 kundër Chelseat dhe 1:1 kundër Wolvesit.

“Gjashtë pritje mahnitëse nga gjashtë portierë që janë nominuar për çmimin ‘Pritja e Muajit’, dhe ju mund ta vendosni fituesin. Deri më 8 prill në orën 13:00, selektoni favoritin tuaj nga lista e shkurtër”, ka shkruar të enjten faqja zyrtare e Premier Leagues.

Votat e tifozëve me panelin e ekspertëve do ta vendosin fituesin që do të bëhet i ditur javën e ardhshme, ka njoftuar faqja e elitës angleze.

Portieri Muriq është në garë për ta fituar këtë çmim me pritjen që ia bëri Yoane Wissas në fitoren ndaj Brentfordit më 16 mars.

Në garë për ta fituar çmimin këtë muaj janë edhe Matz Sels, Neto, Aaron Ramsdale, Mark Flekken dhe Bart Verbruggen.