Porositë e kryediplomatit gjerman, kërkon nga Kosova e Serbia më shumë përpjekje

Agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, ka shkruar për porositë e kryediplomatit gjerman, Heiko Maas, për Kosovën dhe Serbinë.

Reuters

Gjermania bëri thirrje për përpjekje më të mëdha nga Serbia dhe Kosova në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, mbi 20 vjet pasi Beogradi e humbi kontrollin ndaj ish-provincës së vet.

Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia fqinje më 2008, por Beogradi, i përkrahur nga Rusia, Kina dhe disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, refuzon që ta njohë atë.

“Është koha e duhur që të vazhdohet procesi i normalizimit dhe të arrihen rezultate”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, gjatë një konference për gazetarë pas takimit me presidentin serb, Aleksander Vuçiq, të premten në Beograd.

“Është me rëndësi që të mos zhvillohet ky dialog vetëm për hir të dialogut, duhet të ketë rezultate. Gjermania është e gatshme që të ndihmojë në këtë aspekt”, shtoi Maas.

Në anën tjetër, presidenti serb deklaroi: “Serbia nuk është duke kërkuar një arsye shfajësuese për të mos arritur kompromis, ajo beson se konflikti i ngrirë nuk është zgjidhja më e mirë, sepse dikush gjithmonë mund ta shkrijë atë.”

Ai gjithashtu shtoi se edhe përmirësimi i raporteve me Shqipërinë është i nevojshëm për një të ardhme të sigurt. “Është e qartë se serbët dhe shqiptarët do të jenë dy kombet më të mëdha (në rajon) brenda 100 viteve të ardhshme. Thelbi i progresit është në paqe”, tha Vuçiqi.