Pornhub do të kufizojë aksesin për përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar duke nisur nga sot, në kuadër të një goditjeje rregullatore që synon mbrojtjen e të miturve nga përmbajtja eksplicite online.

Aylo, kompania me seli në Qipro që zotëron faqen e pornografisë, njoftoi se nga 2 shkurti do të bllokojë përdoruesit e rinj britanikë që nuk e kanë verifikuar më parë moshën e tyre.

Vendimi vjen pas hyrjes në fuqi të Aktit për Sigurinë Online (Online Safety Act), i cili ka sjellë disa nga rregullat më kufizuese në botë për aksesin në pornografi në internet. Që nga korriku i vitit të kaluar, vizitorët e faqeve për të rritur duhet të vërtetojnë se janë mbi 18 vjeç, përmes një prej metodave si: kartë krediti, ngarkim i një dokumenti identifikimi ose përdorimi i një selfie-je për vlerësim të moshës.

Megjithëse këto masa synojnë ta bëjnë më të vështirë aksesin e të miturve në materiale eksplicite, Aylo pretendon se ato kanë “devijuar trafikun drejt qosheve më të errëta dhe të parregulluara të internetit”.

Si pasojë, kompania thotë se ligji “nuk e ka arritur qëllimin për mbrojtjen e të miturve”.

“Nuk mund të vazhdojmë të operojmë brenda një sistemi që, sipas vlerësimit tonë, nuk e përmbush premtimin për sigurinë e fëmijëve dhe, përkundrazi, ka pasur efekt të kundërt,” thuhet në deklaratën e Aylo.

“Pavarësisht synimit të qartë të ligjit për të kufizuar aksesin e të miturve në përmbajtje për të rritur, përvoja jonë sugjeron fuqishëm se OSA ka dështuar ta arrijë këtë objektiv.”

Që nga 25 korriku, Akti për Sigurinë Online u kërkon platformave digjitale të parandalojnë fëmijët nga shikimi i “përmbajtjeve të dëmshme”. Këtu përfshihen jo vetëm pornografia, por edhe materiale që nxisin vetëdëmtimin ose vetëvrasjen, promovojnë sfida të rrezikshme, shfaqin dhunë serioze apo nxisin urrejtje.

Platformat që shkelin ligjin rrezikojnë ndëshkime të ashpra, përfshirë gjoba deri në 18 milionë paund ose 10% të xhiros globale. Në raste ekstreme, kompanitë mund të ndalohen plotësisht të operojnë në Mbretërinë e Bashkuar.