Nuk e kuptoj pse Aleksandar Vuçiq si president i vendit merret me listën zgjedhore të opozitës. Ai premtoi të ndihmonte SNS-në. Ata nuk munden pa ndihmën e tij, opozita mundet – komenton Zdravko Ponosh deklaratën e presidentit të Serbisë se. Ponosh si kryetar i Qendrës së Serbisë do të jetë i pari në listën e opozitës që u mblodh rreth emrit “Serbia kundër dhunës”, për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit.

Presidenti i Serbisë, në përpjekje për të nënçmuar Zdravko Ponoshin, ka theksuar sërish se ai është “gjeneral i NATO-s”, duke u kthyer pas deklaratës së tij se opozita duhet “të përndjekë Vuçiqin rreth Banjskës”.

– Imagjinoni, thonë se për Banjskën do t’i fusin në skarë ministrin e Mbrojtjes dhe presidentin e Serbisë. Ata mendojnë se do të marrin edhe disa vota. Ata nuk do të mund t’i marrin në këtë mënyrë, ata thjesht nuk e kuptojnë këtë – tha Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

Dhe përsëri, epiteti “gjeneral i NATO-s” është i këndshëm për mua, thotë Ponosh për Danas, dhe kjo sepse, thotë ai, “ka mbaruar një shkollë të mirë në Londër”.

– Dhe ai bëri atë që NATO nuk arriti ta bënte as me bombardimet. Nuk i mjaftoi që i tërhoqi të gjitha kompetencat e Serbisë në Kosovë, por e futi Kosovën në NATO me dredhi në Banjskë – thekson Ponosh.

Siç thotë ai, pasi të përfundojë e gjithë kjo, Vuçiq do të mbahet mend si kumbari i hyrjes së Kosovës në NATO dhe atë nga pozita e presidentit të Serbisë.

– Në ndërkohë, ai e devijoi Serbinë nga rruga evropiane për ta zhytur në Detin e Kinës Jugore, pasi më parë u përpoq ta varroste në Siberi, por ishte e vështirë. Ai nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Ka më shumë gjasa që ai të ketë sukses në atë që po bën për çështjen e përfshirjes së Kosovës në NATO. I denjë për monument në Prishtinë – përfundon Zdravko Ponosh.

Kujtojmë se gjatë vizitës së sotme në spitalin e Leskovcit, Aleksandar Vuçiq ka shfrytëzuar rastin, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për zgjedhjet dhe kritikat që i janë drejtuar nga opozita, për të theksuar se ndryshe nga disa deputetë të opozitës, prindërit, fëmijët dhe anëtarët e familjes nuk kanë llogari jashtë vendit.

Ai akuzoi politikanët e opozitës që kanë qenë më parë në pushtet se “vidhnin paratë e qytetarëve dhe i fusnin në xhepat e tyre” pa marrë parasysh spitalet dhe interesin publik. /Ballkani.info/