Kryetari i partisë “Serbia – qendra”, Zdravko Ponosh, në tubimin e koalicionit “Serbia kundër dhunës” që po mbahet në Sheshin e Republikës në Beograd, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk mund ta kuptojë se Serbia u ndal pas 3 majit dhe tragjeditë që e pësuan dhe se është koha për të ndryshuar kurs.

“Është koha të kthehemi drejt lirisë, nga anormaliteti në normalitet. Liria është të zgjedhësh se çfarë do të bësh, me kë do të shoqërohesh dhe më pas të pyesësh veten nëse kjo është jeta që duam të jetojmë. Megjithatë, varet nga ne se çfarë lloj ajri thithim. Ne do të ndryshojmë disa gjëra duke zgjedhur njerëz që, si projekt shtetëror, nuk do të kultivojnë marihuanë dhe nuk do ta shesin Kosovën”, tha Ponosh, transmeton Ballkani.info.

Ponosh shtoi se Serbia ka vozitur në drejtim të gabuar për 11 vjet, dhe është larguar 22 vjet nga vendi ku mund të ishte…

“I ftojmë të gjithë të dalin të dielën sepse është e rëndësishme të rifitojmë të drejtën për të jetuar ashtu siç duam. Nëse votoni për ne, do të siguroheni që ajo që më ndodhi nuk do të ndodhë më kurrë. Nëse rrethoni numrin 3 në Beograd, do të zgjidhni Beogradin ashtu siç duhet. Le ta kthejmë Serbinë në drejtimin e duhur”, tha Ponosh.

Serbia shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të pjesërishme komunale më 17 dhjetor. /Ballkani.info/