Për Kryeministrin Albin Kurti, Zoran Gjingjiq është një figurë e historisë serbe, prej të rrallëve që nuk e përkrahi Millosheviqin dhe i vetmi që i fali Serbisë dy vjet demokraci. Edhe politologu Ardi Nurellari nuk po arrin të kuptojë përpjekja e kryeministrit Albin Kurti për të rehabilituar e glorifikuar liderë politik serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste.

Nurellari ka publikuar një letër të Zoran Gjingjiq të cilin ia kishte dërguar kriminelit të gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mlladiq në formë të një urimi.

Postimi i Nurellarit:

Është e pakuptueshme përpjekja e kryeministrit Kurti për të rehabilituar e glorifikuar liderë politik serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste. Pas lëvdatave për Oliver Ivanoviq, kryeministri i Kosovës thurr elozhe për ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiç, i cili ra viktimë e luftës së brendshme për pushtet.

Ja çfarë i shkruante kriminelit të luftës, të dēnuar si përgjegjës për gjenocidin në Bosnje Ratko Mlladiq ky “demokrati intelektual pro-evropian” që kaq shumë admirohet nga kryeministri i Kosovës

I nderuar Z. Gjeneral,

Në emër të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe në emrin tim personal, ju uroj të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe ju personalisht Ditën e Ushtrisë së Republikës Srpska. Ushtria e Republikës Srpska, e formuar gjatë luftës për liri, është një shembull se si një ushtri e vogël por popullore mund të ruajë me sukses shtetin dhe të mbrojë njerëzit. Pavarësisht negociatave të paqes, suksesin e të cilave ne të gjithë e dëshirojmë, na duhet një ushtri e fortë, në mënyrë që pala tjetër të heqë dorë nga synimi i saj për të vazhduar luftën. Shpresoj se populli serb, si dhe Ushtria e Republika Srpska, do ta mirëpresin Vidovdanin e ardhshëm në paqe.

Me respekt, Dr. Zoran Gjingjiq