Përhapja e urrejtjes është kriminalizuar në Maqedoninë e Veriut, por politikani Ivan Stoilkoviq, i cili në fillim të këtij viti e quajti gjenocidin në Srebrenicë një “Disneyland nekrofil”, u emërua zëvendëskryeministër dhe ministër i shtetit për marrëdhëniet midis komuniteteve pakicë në vend të sallës së gjyqit.
Partia në pushtet nuk reagoi ndaj deklaratës së tij në atë kohë, por ishte komuniteti boshnjak që ngriti një kallëzim penal kundër tij.
Qëndrime tronditëse
Përfaqësuesi i serbëve në Maqedoni e përshkroi gjenocidin në Srebrenicë si një “Disneyland nekrofil”.
Mediat maqedonase edhe sot e kësaj dite nuk kanë bërë të ditur çka ka ndodhur me këtë zyrtar. Nuk dihet për opinionin nëse ai ndonjëherë është ulur në bankën e të akuzuarve.
Ajo që është e sigurt është se atij i është dhënë një pozitë e rëndësishme, absurde pasi është një pozitë që ka të bëjë me marrëdhëniet ndëretnike.
Despina Kovaçevska, hulumtuese e mediave në fondacionin Metamorfozis, thekson se emërimi i Stoilkoviqit në pozitën e ministrit për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve është veçanërisht problematik kur merret parasysh se ky departament është përgjegjës për boshnjakët.
“BDI ka reaguar ndaj emërimit të Ivan Stoilkoviqit si ministër për marrëdhënie me komunitetet për shkak të origjinës së tij serbe dhe ruse, por ajo që më duket më problematike është se ministria e themeluar në vitin 2008 duhet të jetë përgjegjës për mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e grupeve etnike më pak se 20 për qind, d.m.th përgjegjësinë për përmirësimin e të drejtave të turqve, boshnjakëve, romëve etj. Shtrohet pyetja se si mund të mbrojë ministri të drejtat e boshnjakëve, kur ai e mohon gjenocidin”, tha Kovaçevska.
Stoilkoviq është i njohur edhe në Maqedoninë e Veriut për qëndrimin e tij kundër BE-së, NATO-s dhe Marrëveshjes së Ohrit, dhe ai konsiderohet gjithashtu një lojtar i madh për Rusinë. Së bashku me Milorad Dodik dhe Aleksandar Vulin, ai ishte në Moskë më 25 maj të vitit të kaluar në një forum sigurie dhe ai është mysafir i rregullt në ngjarjet e organizuara nga Ambasada Ruse në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, ai ishte një nga tre deputetët që votuan kundër deklaratës në mbështetje të Kievit.
“Kjo (tallja me gjenocidin) nuk është hera e parë që Ivan Stoilkoviq shkakton polemika dhe urrejtje në komunitet, kjo është veçanërisht e dukshme, duke komentuar rastin e Kosovës, ku ai vazhdimisht deklaron se Kosova është Serbi. Kjo lloj sjelljeje është shumë e dëmshme për demokracinë dhe inkurajimi i gjuhës së urrejtjes mes komuniteteve vetëm sa do të thellojë polarizimin dhe do t’i përkeqësojë marrëdhëniet, për mendimin tim, nëse pushtetarët do të negocionin pozicionet mes palëve, nuk do të kishin zgjedhur më keq”, thotë Kovaçevska.
Përveç qëndrimeve të tij për Kosovën, mediat zbuluan edhe se në bashkëpunim me një agjent të BIA-s, ai ka nxitur protesta në Shkup për të parandaluar rotacionin e pushtetit në vitin 2017. Më pas një turmë protestuesish hynë në parlament dhe sulmuan deputetët e shumicës parlamentare, e në mesin e atyre demonstruesve ishte edhe një agjent i BIA-s me të cilin Stoilkoviq komunikoi për trazirat.
Në Bosnje dhe Hercegovinë ka edhe shembuj të mohuesve të gjenocidit në pozita, madje edhe në ato shtetërore si ministri i Sigurisë Nenad Neshiq dhe ai për Marrëdhënie Ekonomike Stasha Kosharac.
Si ish-kreu ashtu edhe ai aktual i Srebrenicës, ku u krye gjenocidi, janë mohues në Bosnje dhe Hercegovinë dhe “kampioni” absolut është Milorad Dodik, presidenti i Republikës Srpska. Shumica e zyrtarëve të atij entiteti janë mohues, si Nenad Stevandiq, president i NSRS-së, apo Radovan Vishkoviq, kryeministër i entitetit. Zheljka Cvijanoviç, një anëtare e Presidencës së BiH nga RS, nuk ka pikëpamje të ndryshme.
E përbashkëta e politikanëve nga RS, Serbia dhe ky ministër maqedonas Ivan Stoilkoviç është se ata të gjithë e mohojnë gjenocidin, ata mbajnë poste të rëndësishme që krijojnë politika në vend dhe asnjëri prej tyre nuk është ndjekur penalisht për mohim apo gjuhë urrejtjeje.
“Mosveprimi ndaj gjuhës së urrejtjes dhe emërimi i Stoilkoviqit si ministër në qeveri vetëm tregon se sa pak kujdeset për minoritetet në vend, të drejtat e të cilave duhet t’i mbrojë. Kjo nuk përputhet me vlerat evropiane që përfaqëson qeveria e re,” tha Kovaçevska. /Klix







