Politikani nga Vojvodina i gëzohet fitores LVV-LDK: Urime për kosovarët

Politikani serb, Nenad Canak, i cili njëherit drejton edhe Partinë Socialdemokrate të Vojvodinës, ka përgëzuar qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen në një proces fer dhe demokratik të zgjedhjeve.

Canak ka thënë se pas një kohe shumë të gjatë, Kosova nuk do të drejtohet nga njerëz të cilët si pikë dominimi dhe reference të vetme e kishin pjesëmarrjen në luftë.

“Është shumë e rëndësishme që qeveria u mposht në zgjedhje demokratike, rezultatet e të cilave u pranuan nga të gjithë. Qytetarët e bënë të qartë që shoqëria ishte nën kthetrat e korrupsionit dhe se ishte e nevojshme që të hiqej qafe një monsturozitet i tillë”, ka thënë Canak shkruan novimagazin.rs.

Ai ka thënë se institucionet e reja në Prishtinë duhet të punojnë edhe më tej për demokratizimin e shoqërisë, forcimin e institucioneve dhe se duhet të jenë të pa kompromis në luftën kundër korrupsionit.

Ai thotë se partia që drejton pret që zgjedhjet e ditës së diel në Kosovë të kenë një ndikim pozitiv në të gjitha zhvillime në rajon.

“Qeveria e re gjithashtu duhet që t’i jap një impuls kualitativ bisedimeve Prishtinë-Beograd”, ka thënë politikani serb.

“Shpresojmë që qeveria e re e Kosovës të krijohet shpejtë dhe që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të rinisë pa ndonjë vonesë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të vendoste përgjithmonë paqen në Ballkanin Perëndimor dhe përreth”, ka shtuar tutje politikani serb.

Canak ndryshe njihet si një politikan mjaft pragmatist. Ai madje është shprehur i gatshëm që të njohë edhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Bashkë me Cedomir Jovanoviqin njihen si politikan pro-Kosovës.

loading…