Politikanët e Luginës së Preshevës udhëtojnë drejt Washingtonit

Për herë të dytë brenda disa muajsh, drejt Washingtonit kanë udhëtuar politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Burime të RTKlive konfirmojnë se të mërkurën pasdite, drejt kryeqytetit amerikan janë nisur disa nga liderët politikë shqiptarë.

Deputeti në Parlamentin e Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PDD) Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit (PD) Nagip Arifi e kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar,  Ragmi Mustafa, kanë udhëtuar të mërkurën drejt SHBA-së.

Ende nuk dihet arsyeja e kësaj vizite, por burime ende jozyrtare deklarojnë se ata do të takohen në Washington me të emëruarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si edhe disa zyrtarë të tjerë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kontakti me politikanët shqiptar të Luginës, të enjten në mëngjes, për të marrë më shumë informacione në lidhje me këtë udhëtim,  ishte i pamundur.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në një vizitë të ngjashme kanë qenë edhe në qershor të këtij viti.