“Politika e jashtme me Google translate” – Qëndrimi i MPJD-së për Bjellorusinë vlerësohet jodiplomatik dhe me anglishte të dobët

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar për rrëmbimin e aeroplanit në Bjellorusi dhe arrestimin e një gazetari disident.

Mirëpo, ajo që vërehet në postimin e MPJD-së në rrjetin social “Twitter” janë gabimet logjike në gjuhen angleze.

Rënditja e gabuar e fjalive, ka ngritur dyshime te përdoruesit e kësaj platforme se ministria ka përdorur shërbimin e Google për përkthim “google translate” për shkrimin e këtij statusi.

“Politika e jashtme me Google translate”, ka shkruar analisti i njohur, Imer Mushkolaj, duke e postuar edhe ‘twittin’ e MPJD-së.

Edhe gazetari i njohur Enver Robelli ka reaguar për postimin në fjalë. Ai e ka cilësuar si joprofesional postimin e MPJ-së.

“Postimi i sotëm i MPJ-së së Kosovës në Twitter lidhur me zhvillimet e fundit në Bjellorusi dhe rolin e Rusisë në Ballkan është joprofesional, jodiplomatik dhe joserioz. Postimi i para disa ditëve i MPJ-së në Twitter lidhur me konfliktin në Lindjen e Afërt ishte, po ashtu, joprofesional, i pabalancuar dhe e thjeshtësonte në mënyrë absurde një konflikt ku gjërat s’mund të shihen bardh e zi. MPJ urgjentisht duhet të arrijë nivel profesional të komunikimit me opinionin publik. Profili i MPJ-së në Twitter nuk është blog apo profil privat Facebooku, ku mund të shkruhet shkel e shko dhe me anglishte të dobët. Profili i MPJ-së në Twitter është, në fakt, pasqyrë e qëndrimeve të shtetit kosovar. Me postime si këto të fundit, Kosova shfaqet para botës me një pasqyrë të përlyer. Kësaj praktike duhet t’i jepet fund – menjëherë! Përgjegjësinë e bart jo vetëm MPJ, por tërë kabineti qeveritar, që duket si i përgjumur në komoditet votash”, ka shkruar ai.

Kritika ka pasur edhe në rrjetet sociale nga qytetarët. Komentet në këtë postim ishin të gjitha kritike.