Një artikull i gjatë është botuar sot në gazetën amerikane Politico i titulluar “Qysh ShBA-ja shteroi Kosovën dhe çka do të thotë kjo për Ukrainën”. Artikulli në fjalë përmend personazhe të ndryshme amerikane të lidhur me Kosovën, përfshirë Gjeneralin Clark e ish-Sekretaren Clinton, derisa i mëshon idesë se ata kanë provuar që ta shfrytëzojnë namin e mirë që kanë në vendin tonë për t’i çuar përpara interesat e tyre biznesore.

Gazetari Matthew Karnitschnig ndan me lexuesit edhe përjetimin e tij nga një darkë në Prishtinë ku mori pjesë ish-ambasadorja Vlora Çitaku, ish-komandanti suprem i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, një afarist i lindur në Bullgari me emrin Pavel Valnev dhe i vëllai i ish-presidentit amerikan George W. Bush.

Të merremi fillimisht me këtë darkë.

Darka

“Vëllai i vogël i George W. Bushit ishte konfuz.” – është fjalia e parë e artikullit.

Aty tregohet konfuziteti i përgjithshëm i Bushit, duke provuar të thuhet se si amerikanët në fakt s’duan t’ia dinë fort për Kosovën.

“Pra, ju jeni shqiptarë?” – e pyeti Neil Bushi, Vlora Çitakun.

“Po,” – ia ktheu Vlora.

“Por, nëse ju jeni shqiptarë atëherë pse shteti juaj quhet Kosovë?”

Më pas, një tjetër konfuzitet i vëllait të presidentit amerikan paraqitet. Ai e kishte pyetur gjeneralin Clark se për çfarë arsyesh ishin bërë shqiptarët e Kosovës myslimanë. Pra, ai s’kishte haber për historinë tonë megjithëse kishte motive biznesi për të qenë në Kosovë.

E këtillë na paraqitet rrëfimi edhe për gati të gjithë personazhet tjerë amerikanë të këtij rrëfimi. Gjeneralin Clark, Sekretaren e ndjerë Madleine Albright, ish-ambasadorin Chris Dell e kështu me radhë. Përmenden autostradat. Krejt kjo për t’u akuzuar Amerika për atë që e kishte bërë. E se si nga e gjithë kjo duhej të mësonte Ukraina.

Nacionale do të provojë që të mësojë më shumë në lidhje me këtë darkë nga znj. Vlora Çitaku.

Në këtë darkë, artikulli thotë se gjenerali Clark e kishte shprehur “frustrimin me qeverinë aktuale të vendit dhe dështimit të saj për ta çuar përpara ndërmarrjen e tij biznesore.”

“Kur Çitaku, ish-ambasadore në Washington që tash është politikane opozitare, u ankua në atë që e përshkroi si shembull të qartë të korrupsionit publik nën regjimin aktual, Clark i ofroi ta thirrte Christiane Amanpourin, gazetaren e famshme të CNN-it, që dikur kishte punuar në këtë rajon.”

Ish-ministri

Për ta përforcuar narracionin aty citohet një ish ministër i Qeverisë së Kosovës.

“Është një prej mistereve më të mëdha: qysh një vend si Amerika që ka vënë resurse domethënëse dhe kapital politik që ta bëjë Kosovën shtet funksional thjesht na lë në harresë,”

Më pas, kemi edhe fjalinë e radhës nga ish-ministri: “Amerikanët thjesht e harruan Kosovën.”

Ukraina

Ukraina përmendet vetëm gjashtë herë në këtë shkrim të gjatë, përkundër që pretendohet të jetë thelbi i këtij artikulli – gjë që dëshmohet edhe përmes titullit.

Megjithatë, aty jepet një mesazh direkt në lidhje me atë që e ka bërë Amerika në Kosovë:

“…Në çdo konflikt ku është angazhuar ShBA-ja në dekadat e fundit, prej Irakut e në Afganistan, e deri te Kosova e vogël, ekipi që bënte ndreqjen e gjërave është udhëhequr nga korporatat amerikane. Me kalimin e kohës, megjithatë, vullneti politik në Washington për të mbetur e angazhuar në shtete të huaja zakonisht venitet sapo bizneset e mëdha shtrydhin atë që munden nga prania e Amerikës.”

VIDEO BONUS: Nëse JO me SHBA të, JO me BE në, JO me Mbretërinë e Bashkuar, me kënd po ecim si shtet