Policia thotë se plaku që u arrestua dhunshëm në Vushtrri, kishte disa vepra penale

Policia e Kosovës ka dalë me njoftim pas publikimit të pamjeve të një arrestimi jo të këndshëm në sheshin e Vushtrrisë.

Sipas njoftimit, thuhet se qytetari i moshuar kishte dalë pa maskë dhe kishe refuzuar vendosjen e maskës dhe prezantimin e letërnjoftimit.

Tutje Policia njofton se i njëjti është dërguar në stacion policor për intervistim dhe kishte rezultuar se qytetari është i njohur për shumë vepra penale.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimet dhe videot të cilat janë publikuar sot (10.09.2021) në disa media-portale, e që i referohen kinse një rasti të konfrontimit të një personi të moshuar me zyrtarët policorë në Vushtrri, ju informon dhe njëherit sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr veprimet konform procedurave dhe autorizimeve ligjore, përfshirë vlerësimet dhe rrethanat e krijuara në terren.
Në këtë rast, derisa njësia e hetimeve Regjionale-Mitrovicë kishte qenë duke patrulluar në bulevardin “Adem Jashari “ në Vushtrri në zbatim të planit operativ Covid -19, kishte hasur në një person i cili nuk e kishte pasur të vendosur maskën mbrojtëse dhe nga i njëjti kanë kërkuar që ta vendos maskën mbrojtëse bazuar në vendimin për masat mbrojtëse nga pandemia.

Personi në fjalë fillimisht kishte refuzuar vendosjen e maskës, e po ashtu kishte refuzuar edhe prezantimin e dokumentit identifikues (letërnjoftimin) të kërkuar nga zyrtarët policorë.
Vlen të potencohet se zyrtarët policorë kishin kërkuar dhe njëherit i kishin dhënë urdhër verbal disa herë personit në fjalë, por i njëjti duke refuzuar nuk i ishte bindur urdhrave të zyrtareve policorë duke aluduar se është i sëmurë, por pa argumentuar me ndonjë dokument mjekësor.

Zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin veprime ligjore duke e vënë nën kontroll personin, të cilin pastaj e kanë dërguar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.
Bazuar në informatat zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës, personi në fjalë nuk ka dëshmuar asnjë dokument se është i sëmurë dhe nga verifikimet e bëra i njëjti ka rezultuar se është i njohur për shumë vepra penale.

Në konsultim me gjyqtarin ndaj të njëjtit është iniciuar rasti “Mosrespektim i urdhrit të policit (PRQP)”, ku pas intervistimit rasti vazhdon procedurë të rregullt, për trajtim të mëtejme nga gjykata kompetente.

Policia e Kosovës, pas çdo operacioni apo veprimi policor, vlerëson dhe njëherit si në këtë rast trajton veprimet dhe sjelljet e zyrtarëve policorë se a janë në harmoni me rregullat dhe procedurat policore.