Policia shqipton gjobë për tubimin e PDK-së në Rezallë të Skenderajt

Policia në Skenderaj ka shqiptuar gjobë për organizatorin e një tubimi në Rezallë, dhe subjektit politik (PDK) si person juridik, pasi që nuk janë respektuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

“Pas njoftimit përmes mediave për një tubim të mbajtur në fshatin Rezallë të Skenderajt në të cilin tubim nuk janë respektuar masat mbrojtëse kundër COVID-19, si dhe tejkalimi i numrit të lejuar të pjesëmarrësve në hapësirat e jashtme në tubimet publike, policia në Skenderaj, ka identifikuar lokacionin dhe organizatorin e tubimit.

Për shkak të mos respektimit të vendimit të fundit të qeverisë, dhe për shkak se organizatori nuk kishte krijuar kushte për mbajtje të distancës, mospërkujdesjen për vendosjen e maskave të pjesëmarrësve në tubim, policia ka shqiptuar gjobë organizatorit si person fizik konformë ligjit për mbrojtje nga pandemia COVID-19.

Po ashtu policia në Skenderaj, i ka shqiptuar gjobë edhe subjektit politikë si person juridik, pasi që nuk janë respektuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

Policia apelon tek të gjithë qytetarët që të zbatojnë masat e parapara për parandalimin dhe luftimin pandemisë COVID-19, përndryshe policia ndaj të gjithëve që nuk i zbatojnë masat mbrojtëse, do të ndërmerr masa të parapara me dispozitat ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.