Policia shqipton gjoba ndaj pronarëve të lokaleve të gastronomisë – shkak muzika me tone të larta

Gjatë ditëve të fundit qytetarët në Mitrovicë janë ballafaquar me problemin e zhurmës, pasi që lokale të ndryshme të gastronomisë në Mitrovicë kanë shkaktuar zhurmë të bezdisshme, muzikë me tone të larta.

Policia ka marrë masa të menjëhershme dhe gjatë kësaj jave ka shqiptuar gjoba ndaj tetë pronarëve apo personave përgjegjës të lokaleve të gastronomisë apo subjekteve juridike.

Gjobat janë shqiptuar në bazë të autorizimeve dhe kompetencave policore dhe duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

Masa të tilla do të vazhdojnë të merren edhe në ditët në vijim në mënyrë që të parandalohet bezdisja nga zhurma dhe shqetësimi i qytetarëve dhe do shqiptohen gjoba ndaj të gjithë personave dhe subjekteve juridike pa përjashtim.