LAJMI I FUNDIT

Policia shkon në ZRRE, Molliqaj: Po, kemi ardhë me i pengu

Një zyrtar i Policisë së Kosovës ka biseduar me Dardan Molliqaj, kryetarin e PSD-së i cili me bashkëpartiakë të tjerë kanë shkuar në ZRRE për ta kërkuar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Vendimi s’është publikuar ende nga ZRRE-ja, ndërsa pas konfrontimit verbal të Molliqajt e të tjerëve me kryesuesin e bordit të ZRRe-së, Ymer Fejzullahun, aty ka mbërritur edhe Policia.

“Ne kemi ardhë me e kërku publikimin e vendimit të ZRRE-së”, i tha Molliqaj zyrtarit policor.

Polici kërkoi që të mos pengohen anëtarët e bordit të ZRRE-së dhe të gjendet një rrugë zyrtare e komunikimit.

“Jo na jemi ardhë me i pengu këta”, i tha Molliqaj zyrtarit policor.

Zyrtari policor më pas hyri në dhomën ku po qëndronin anëtarët e bordit të ZRRe-së për të biseduar me ta. Kjo s’i përlqeu Molliqajt. Për të, ky veprim konfirmon se Kosova nuk është vend demokratik.

“Vjen Policia me e rujt rendin e qetësinë publike dhe tash hyn negocion me bordin. Qeky në qoftë vend demokratik ne mbajmë përgjegjësi”, tha Molliqaj.

Ndërkohë, ai dhe të tjerët po presin ulur në korridorin e ZRRE-së për ta parë vendimin për shtrenjtim të rrymës.