Policia prangos edhe një person që kanosi gazetarin Vehbi Kajtazi

Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person që dyshohet se ka kërcënuar gazetarin Vehbi Kajtazi.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se i dyshuari e kishte kërcënuar Kajtazin pas deklaratave të tij për “Grupin e Kumanovës”.

Kujtojmë se dy të dyshuar të tjerë, Brahim Hajvazi dhe Kadri Raqi, për kërcënime ndaj Kajtazit tashmë ndodhen në paraburgim.

Si u arrestuan dy të dyshuarit e parë?

Më 16 dhjetor, përmes një njoftimi të AGK-së, u bë e ditur se Kajtazi kishte denoncuar në Polici mbi 100 kërcënime qe kishte marrë.

Pasi Policia u vu në lëvizje arriti të arrestojë dy të dyshuarit, Hajvazi dhe Raqi. Të njëjtit u dërguan në mbajte, e më pas paraburgim më 20 dhjetor.

AGK njoftoi se Kajtazi u kishte dërguar letër ku ka folur për kërcënimet qe ka marrë.

“Prej asaj dite kam marrë qindra kërcënime me jetë nga persona të ndryshëm. Këto kërcënime janë nxitur edhe nga reagimet e grupit të dënuar të cilët lirshëm shkruajnë e lidhen me Televizione. Sot, zyrtarisht kam hapur rast në Polici kundër një numri prej 100 personash kërcënimet e të cilëve janë shumë serioze. Me rastin tashmë janë duke u marrë Krimet e Rënda në Polici, sektor ky që po merret me verifikimin dhe hetimin e këtyre rasteve. Numri i rastit të hapur në Polici është 2021 – AB 3245”, ka shkruar Kajtazi në letrën për AGK-në.

Asociacion i Gazetarëve të Kosovës i ka dënuar fuqishëm këto kërcënime dhe e ka ftuar Policinë që të ofrojë siguri për gazetarin Kajtazi dhe për të afërmit e gazetarit.

Ndryshe, Kajtazi kishte deklaruar se Grupi i Kumanovës është një bandë kriminale, e cila e armatosur deri në dhëmbë ka shkuar në Maqedoni dhe ka luftuar me forcat policore të Maqedonisë, ku bëjnë pjesë edhe shumë shqiptarë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.