Policia përgënjeshtron mediat serbe për raportimin kinse janë rrahur dy serbë nga njësiti ROSU

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe, kinse disa anëtarë të njësitit ROSU kanë rrahur dy serbë në një fshat të komunës së Leposaviqit.

Nëpërmjet një komunikate për media, nga policia kanë thënë se nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar apo evidentuar nga institucionet e sigurisë lidhur me rastin në fjalë.

“Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente”, thuhet në njoftim të PK-së.

“Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe”, vijon njoftimi.

Njoftimi i plotë:

Referuar deklarimeve dhe publikimeve të datës 08.03.2023 nga disa mediume, se kinse në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë rrahur/keqtrajtuar nga zyrtarë policorë siç e quajnë ata njësia ROSU, ju informojmë dhe njëherit sqarojmë se:

Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente.

Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe.

Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës.