Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Klinë, më saktësisht në fshatin Gjurgjevik, kanë parandaluar vjedhjen e një traktori.
“Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni Policor në Klinë, me datën 22.04.2019, ka pranuar informatë se persona të dyshuar janë duke e tërhequr me veturë një traktor nëpër një fushë në fshatin Gjurgjevik i Vogël të komunës së Klinës”, shkruan në njoftim, përcjell Ballkani.info.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se falë reagimit të shpejtë, kanë arritur ta lokalizojnë traktorin e tipit ‘DAF’, ndërsa personat e dyshuar kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Në fund, njoftimi bën të ditur se pas një kohe, viktima i cili është qytetar serb i Kosovës, ka telefonuar Policinë duke i njoftuar se i është vjedhur traktori në fshatin Videjë/Klinë.
Traktori i është kthyer pronarit, ndërsa për rastin është informuar Prokurori i Shtetit. /Ballkani.info









