Grafite

Policia nuk konfirmon nëse ka nisur hetim për grafitin kundër homoseksualëve në Prishtinë

Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar nëse ka nisur apo jo ndonjë hetim ndaj një grafiti në Prishtinë të hënën, i cili bënte thirrje për vrasjen e homoseksualëve.

Në një rrugë të kampusit të Universitetit të Prishtinës (UP), në mëngjesin e 7 gushtit u pa një grafiti me mbishkrimin në gjuhën angleze: “kill the gays”, apo në shqip: “vrisni homoseksualët”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të hënën vonë se çdo mbishkrim i cili ka elemente serioze trajtohet nga policia.

Por, për mbishkrimin e 7 gushtit në kampusin e UP-së, ai thotë se deri tani, nuk ka ndonjë informacion.

Ndërkohë, juristja nga Kosova, Flutura Kusari, në një reagim në rrjetin social Facebook, këtë mbishkrim e konsideron të rrezikshëm dhe, si i tillë, sipas saj, duhet të hetohet.

“Thirrjet për vrasje janë vepër penale”, shkroi Kusari.

Në orët e pasdites, një organizatë e cila avokon për të drejtat e homoseksualëve rrjetin social Facebook ka postuar një fotografi ku shihet se mbi fjalën “vrisni” është shkruar “puthni”.

“Kiss the gays”, apo në shqip “puthni homoseksualët”, shkruhet në mbishkrimin e korrigjuar.

“Na jemi këndej dhe jemi gati t’i mbrojmë hapësirat tona publike”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Në Kosovë, në muajin qershor, për të shtatën herë me radhë është mbajtur Parada e Krenarisë.

Paradat e Krenarisë në Kosovë shërbejnë si protesta për të drejtat ligjore si martesat midis personave me të njëjtën gjini.

Aktivistë dhe pjesëtarë të këtij komuniteti vazhdimisht theksojnë se shoqëria kosovare është tejet konservatore, andaj ka pak të tillë që deklarohen hapur për orientimin e tyre seksual.

Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë raportuar se janë shënjestër e dhunës, diskriminimit dhe stigmatizimit.