policia

Policia njofton për arrestimin e aktivistëve të PSD-së në ZRRE: Nuk u bindën, i prangosëm 13 persona

Policia e Kosovës është deklaruar për arrestimin e zyrtarëve të PSD-së sot në ambientet e ZRRE-së. Sipas policisë, zyrtarët e PSD-së janë arrestuar nën dyshimet për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrës.

Në total numri i të arrestuarve është 13-të. Në mesin e të arrestuarve është kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj si dhe zyrtarët Frashër Krasniqi, Nol Nushi etj.

Njoftimi i plotë i policisë:

Sot rreth orës 15:00, në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRrE-së, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 persona.

Megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur.

Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe  aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit  të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen,  personat e arrestuar do të procedohen më tej.