Identifikohet 33-vjeçari që vodhi nga tri dyqane gjësende të ndryshme, lajmërojeni Policinë nëse e shihni

Policia e Kosovës ka identifikuar një person i cili dyshohet se është përfshirë në disa raste të mashtrimeve, ku ka arritur të marrë gjësende të ndryshme nëpër dyqane.

Policia njofton se i dyshuari për përfshirje në këto mashtrime është Valton Makolli, 33 vjeç, transmeton Ballkani.info.

“Referuar tri rasteve të mashtrimit të raportuara gjatë këtij viti (janar, mars dhe prill), Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacionit policor Jugu, kanë ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve të rëndësishme që lidhen me rastet në fjalë”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se këndejmi veprimet e lartcekura policore kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit.

“Valton Makolli, 33 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin dyshohet me bazë të jetë përfshirë në kryerjen e rasteve të mashtrimeve që po hetohen nga ana e policisë. Mbështetur në rezultatet e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga i dyshuari mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar deri tani”, vijon njoftimi.

Ndërsa, deri tani në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, si viktima të mashtrimit nga i dyshuari, janë paraqitur 3 persona (shitës të dyqaneve) ,të cilëve i dyshuari përmes mashtrimit ka arrit që t’iu marr nga dyqanet gjësende të ndryshme.

“Ky i dyshuar aktualisht ndodhet në arrati dhe është shpallë në kërkim nga ana e policisë. Andaj inkurajojmë të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij, apo çfarë do lloj informacioni tjetër që do t’i kontribuonte arrestimit të tij, t’ ia kalojnë ato policisë përmes linjës 192, apo në çfarëdo forme tjetër”.