Istog

Policia në kërkim të personave që sulmuan autobusët me pelegrinë serbë

Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin ndaj pelegrinëve serbë në fshatin Studenicë të Istogut.

Gjatë ditës së sotme në fshatin Studenicë të Istogut janë sulmuar autobusët me pelegrinë serbë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

Sipas Ibrajt, dy autobusët bartnin rreth 170 pelegrinë serbë, të cilët kishin leje për vizitën në Manastirin e Studenicës.

Ai ka thënë se sulmi ka ndodhur rreth orës 15:15 dhe jo në mëngjes siç raportuan mediat serbe.

Ibraj ka konfirmuar për lajmi.net se ky rast është cilësuar si “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, pasi që sulmuesit kanë gjuajtur me gurë dy autobusët ku edhe kanë thyer xhamat e tyre.

“Vizitorët diku rreth orës 13:15 sipas kërkesës që e kanë parashutuar për vizitë e një grupi rreth 170 persona që kanë bërë vizita në monumentet e kultit të tyre. Diku rreth orës 14:00 ata kanë arritur në fshatin Studenicë dhe e kanë kryer të gjithë ceremoninë fetare në këtë fshat në Manastirin e Studenicës dhe pas një kohe aty kur janë përgatit për nisje dhe dikush i ka gjuajtur me gurë dhe ia kanë dëmtuar xhamat e autobusit. Sipas informacioneve që ne kemi, autobusët kanë qenë me targa të Beogradit. Njërit autobus i janë dëmtuar tre xhama derisa në autobusin tjetër është dëmtuar xhami i përparmë. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar”, ka treguar Ibraj për lajmi.net.

Sipas tij, Policia ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe me këtë rast ka njoftuar edhe prokurorin e shtetit.

Ibraj po ashtu ka konfirmuar se ky rast është nën hetim dhe se kryesit e këtij sulmi janë në kërkim të Policisë.

“Policia e ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe me këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Rasti është në hetim. Do me thënë kryesit e këtij sulmi akoma janë të panjohur për Policinë dhe jemi në kërkim dhe arrestimit të tyre”, ka deklaruar Ibraj.

Ndryshe në lidhje me sulmin ndaj pelegrinëve serbë ka reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të reagojnë për këtë sulm.

Madje Gjuriq, i ka quajtur sulmuesit ekstremistë fetarë.