Policia me aksion në trafik, konfiskohen nëntë skuter

Policia e rajonit të Prishtinës respektivisht njësia rajonale e trafikut rrugor duke u mbështetur në vlerësimet e fundit që i ka bërë situatës së sigurisë në trafik ka ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me masat që duhen ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të treguesve të sigurisë rrugore dhe për uljen e numrit të kundërvajtjeve në trafik.

Me gjithë faktin se policia në vazhdimësi është angazhuar në kontrollin për zbatimin e rregullave të trafikut nga të gjithë shfrytëzuesit e rrugës duke synuar uljen e numrit të kundërvajtjeve në trafik dhe ngjarjeve aksidentale, është parë e nevojshme që krahas kontrolleve të strukturave të policisë të punohet edhe në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugo, thuhet në njoftimin e Policisë.

Mbështetur mbi këtë bazë, në kuadër të intensifikimit të punës preventive për forcimin e rregullit si dhe disiplinimin e shfrytëzuesve të rrugës, njësia rajonale e trafikut rrugor ka filluar me implementimin e një plani operativ për kontrollin e shtuar në trafik me fokus të veçantë ndaj ngasësve të motoçikletave.

Vetëm deri në orën 15:00 janë shqiptuar 129 masa administrative për kundërvajtje të ndryshme në trafikun rrugor, ndërsa janë konfiskuar – çkyçur nga komunikacioni 9 skuter; masë administrative ndaj 6 ngasësve të motoçikletave pa patentë shofer, masë administrative ndaj një ngasësi të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse dhe masë administrative ndaj 3 ngasësve të motoçikletave pa regjistrim.

Policia thotë se ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdoj deri sa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar.