LAJMI I FUNDIT

Policia kap pajisje të dyshuara ushtarake në autobusin me targa të huaja në Merdar

Policia e Kosovës, sot me datë 24.12.2023, rreth orës 10:00, në hyrje të Republikës së Kosovës në Merdar gjatë kontrollimit në bagazhin e një autobusi me targa të huaja, respektivisht kontrollimit me skaner të valixheve, në valixhen e një pasagjeri autoritete kufitare (policore dhe doganore) kanë hasur në disa pajisje të dyshuara ushtarake: 3 thika luftarake, 2 radiolidhje-motorola, një çantë ushtarake, një jelek taktik, një palë doreza, një helmetë taktike, 3 bateria, 2 këllëf për revole, një imtim i predhës, etj.

Policia njofton se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kompetente dhe me autorizim të tij është iniciuar rasti “import , eksport, furnizim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuara e armëve”.

“Pajisjet e lartcekura janë sekuestruar dhe me vendim të Prokurorit kompetent i dyshuari lirohet në procedurë të rregulltë. Hetimet lidhur me rastin mbeten në proces nga autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës shtom se me autoritetet doganore po punojnë në vazhdimësi në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të tyre për një menaxhim sa më efikas dhe efektiv të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës.

“Prioritet i organeve kompetente të sigurisë mbetet ruajtja e rendit dhe sigurisë, si dhe garantimi i lëvizje së lirë për të gjithë njerëzit pa dallim”, thuhet në njoftim.

VIDEO BONUS: Sveçla me detaje për sulmin e 24 shtatorit