Policia ka iniciuar rast ndaj deputetëve të LDK’së, Shala e Gashi, për lëndim trupor ndaj deputetit të LVV’së

Të martën pasdite dy deputetë të LDK’së, akademiku Kujtim Shala, dhe Arben Gashi kanë sulmuar fizikisht deputetin e LVV’së, Gazmend Gjyshinca, dhe për këtë, ndaj tyre Policia e Kosovës ka iniciuar rast.

Gazeta Online Reporteri.net, nga burime policore, ka mësuar se ndaj deputetëve Shala e Gashi, tashmë është iniciuar rast, për veprën ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pasi Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ka kontaktuar deputetin e LVV’së, Gazmend Gjyshinca, si dhe të dyshuarit, deputetë të LDK’së, Kujtim Shala, dhe Arben Gashi.

Sipas ankuesin pas përfundimit të mbledhjes së komisionit për Punë të Jashtme në hollin e Kuvendit është sulmuar nga dy deputetët e LDK’së, ku i njëjti ka marrë lëndime në krahun e djathtë dhe i është ofruar tretmani mjekësor.

Lidhur me rastin mësohet se janë njoftuar edhe njësia e hetimeve rajonale, të cilët kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe kishin intervistimin e deputetëve të përfshirë në rast, dhe dëshmitarët e rastit, ku pas intervistimit në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe është dërguar në procedurë të rregullt.

Në anën tjetër, deputetët e LDK’së, të përfshirë në këtë rast, siç shihet edhe nga pamjet e videoincizimit nga kamerat e sigurisë në Kuvend, e kanë mohuar sulmin, duke pretenduar se kolegun e tyre nga LVV e kanë ndaluar vetëm për t’u sqaruar me të. Por, ajo që shihet nga video, tregon se deputeti Gjyshinca ishte penguar dhunshëm, derisa po ecte në koridorin e Kuvendit, pasi kishte dalë nga salla ku ishte mbajtur mbledhja e komisionit për Politikë të Jashtme.