Policia

Policia jep detaje shtesë për arrestimin e anëtarëve të PSD-së: U lënduan katër zyrtarë policorë

Partia Socialdemokrate gjatë ditës së djeshme ka realizuar një aktivitet tek zyrat e Rregullatorit të Energjisë Elektrike në vend (ZRRE).

Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi e shumë anëtarë të tjerë të PSD-së kanë qëndruar për orë të tëra në këto zyra, teksa kërkonin nga drejtuesi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu që të tregonte se ku do të shpërndahen rreth 100 milionë euro të Qeverisë së Kosovës të cilat janë dhënë si subvencion pas vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Pas debateve të shumta që pati në mes përfaqësuesve të ZRRE-së dhe atyre të PSD-së, këta të fundit rreth tri herë ndalën edhe energjinë elektrike.

Kësisoj në zyrat e ZRRE-së arritën edhe zyrtarët policorë të cilët më pas arrestuan 13 anëtarë të PSD-së.

Nga Policia e Kosovë sot kanë theksuar se si si pasojë e gjithë kësaj janë lënduar katër zyrtarë policorë.

Poashtu është thënë se katër nga të arrestuarit e djeshëm janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje.

“Rr. Bekim Fehmiu, Prishtinë,14.02.2022-11:20. Janë arrestuar 13 të dyshuar, 11 meshkuj dhe 2 femra kosovarë pasi që të njëjtit kanë hyrë në objektin e ZRRE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve. Gjatë arrestimit të dyshuarit kanë rezistuar me ç’rast katër zyrtar policor kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit pas intervistimit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar Fletëparaqitje për kundërvajtje.”