Policia jep detaje për vrasjen në Pejë: Viktima u gjet i djegur në veturë

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në fshatin Zahaq të Pejës është gjetur një person pa shenja jete. Policia ka dhënë detaje për rastin, ku ka theksuar se trupi i pajetë i viktimës u gjet i djegur në një veturë.

Përmes një komunikate për media, policia ka thënë se fillimisht ishte lajmëruar npër një veturë të djegur, në fshatin Zahaq të Pejës.

“Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, ka bërë të ditur policia.

Policia ka sqaruar rrethanat në të cilat është gjetur i vrarë e më pas i djegur viktima.

“Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VW Passat me targa vendore”, thekson policia.

Burime të Gazetës Express brenda hetuesisë së Pejës kanë konfirmuar se dyshohet se viktima në Pejë është Qerim Kelmendi. Trupi i tij, sipas burimeve, është ekzekutuar me disa plumba e pastaj është djegur.