Policia jep detaje për tragjedinë në Lipjan ku u vra një person dhe pesë të tjerë u plagosën rëndë

Një ngjarje tragjike ka tronditur dje qytetin e Lipjanit. Një person atje ka vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri në fshatin Hallaq i Madh të kësaj komune.

Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tetë gëzhoja të fishekëve dhe një predhë e fishekut.

“Raportohet se si pasojë e një mosmarrëveshje nëntë persona të dy familjeve janë përfshirë në rrahje ku është përdorë edhe arma e zjarrit. Si pasojë e përdorimit të armës viktima mashkull kosovar kishte marr plagë vdekjeprurëse dhe ka ndërruar jetë, ndërsa të plagosur kanë mbet pesë persona të dyshuar  meshkuj  kosovarë të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe janë nën përkujdesje të njësive policore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë dhe prokurori i shtetit. Po ashtu në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tetë gëzhoja të fishekëve dhe një predhë e fishekut”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Sipas njoftimit, janë arrestuar edhe tre të dyshuar meshkuj kosovarë ndaj të cilëve duke përfshirë edhe të dyshuarit e plagosur me vendim prokurori u ka caktuar masën e arrestit për 48 orë, ku tre prej të dyshuarave janë dërguar në mbajtje. Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

Në anën tjetër fqinjët e dy familjeve kanë bërë të ditur se më parë nuk kishte pasur konflikte në mes të familjes Hoxha dhe Jakupi.

Bahri Tërpeza ka thënë se dy familjet kanë punuar edhe më parë në disa biznese së bashku.

 “Rasti që e dëgjova është i dhimbshëm. Këto dy familje Hoxha e Jakupi  kanë qenë të afërt mes vete s’kan pasur konflikt më heret. Kanë punuar në disa biznese. Gjithë kanë pasur bashkëpunim mes vete kanë qenë të afërt mes vete”, thotë komshiu i tyre.

Lavdim Troshupa, një komshi tjetër ka bërë të ditur për televizionin se personi që ka ndërruar jetë kishte ardhur nga Zvcira para pak ditësh.

“Po tash e bastisën njërën nga shtëpitë. E gjetën dy thika e një shufër. Është e vërtetë e kanë kaluar mes vete shumë mirë. Njëri nga djemtë e njërës familje ka ba fjalë me këta të familjes Hoxha. I vdekuri ka ardhur nga Zvicra para tri dite”, tha ai për T7.

Rastin e ka konfirmuar dje edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 07:00, policia ka marrë informacionin për një plagosje me arme zjarri në fshatin Hallaq i Madh të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare në këtë vend janë pjagosur 6 persona, prej tyre një mashkull , shtetas i Republikës se Kosovës,  i cili nuk mundur tu përballoj plagëve të mara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK “, ka deklaruar Ahmeti