Policia interviston mbi 10 hetues tatimorë që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Policia e Kosovës i ka intervistuar në cilësinë e të dyshimtëve një grumbull të madh hetuesish tatimorë, që dyshohen për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Për shumicën e këtyre hetuesve tatimorë ka dyshime të bazuara se gjatë ushtrimit të autorizimeve që kanë pasur, ata nuk kanë bërë trajtim të barabartë të subjekteve.

Bëhet fjalë për më shumë se 10 hetues tatimorë, që po hetohen nga Policia e Kosovës si të dyshimtë, përfshirë këtu edhe udhëheqësit e ekipeve të hetuesve dhe Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Divizionit për Hetim Tatimor dhe Inteligjencë.

Ballkani.info ka mësuar se Policia e Kosovës i ka intervistuar si të dyshuar edhe Safet Krasniqin, u.d. i Drejtorit të Divizionit për Hetim Tatimor dhe Inteligjencë, Kadri Gashin, ish-udhëheqës i ekipit në Divizionin për Hetim Tatimor dhe Inteligjencë, Jeton Dragushën, udhëheqës i ekipit në Divizionin për Hetim Tatimor dhe Inteligjencë, si dhe Florim Kurtishajn, aktualisht Drejtor i Lojërave të Fatit.

Mbi 10 hetues tatimorë dyshohet se disa subjekteve që kanë pasur transaksione me biznese fiktive, ua kanë mundësuar kundërligjshëm korrigjimin e faturave dhe nuk ju kanë bërë kallëzime penale. Kurse, disa subjekteve të tjera, nuk ua kanë ofruar këtë mundësi dhe ju kanë bërë kallëzime penale. /Ballkani.info/