Policia i kap 5 persona në Prishtinë duke i transportuar dy thasë drogë me ‘taxi’

Mbrëmë është prishur një plan mafioz i transportimit të drogës në Prishtinë. Rreth orës 20:30, në dalje të autostradës Prishtinë-Mitrovicë, Policia i ka ndaluar tri vetura dhe i ka arrestuar 5 persona, pjesë e një plani për transportimin e dy thasëve me narkotikë të llojit marihuanë.

Gazeta Sinjali mëson nga burime të sigurta brenda Prokurorisë se Policia i ka kapur të dyshuarit duke bartur substancë narkotike prej 13,800 kilogramësh. Kjo sasi droge u kap në veturën e tipin “Shkoda”, që mbante mbishkrimin e një firme taxi. Drejtuesi i këtij automjeti, R.I, ishte paguar me 50 euro për transportimin e drogës. Atë po e shoqëronte në veturë A.B.

Siç mëson Sinjali, plani ishte që të sigurohej rruga e tretë nga dy veturat që i paraprinin ‘taxit’ të mbushur me drogë. Në veturën e parë të tipit Golf 7 gjendeshin A.SH. dhe A.D., ndërsa veturën e dytë të tipit VW Tauran e voziste i vetëm B.D.

Megjithatë, atyre u dështoi plani pasi u ndaluan nga Policia. Pas intervistimit, të dyshuarit u dërguan në mbajtje.

Me urdhër të gjykatës, gjithashtu janë bastisur vendbanimet e personave të arrestuar.

Fillimisht u kontrollua një banesë në rrugën “Ahmet Korenica” në kryeqytet të cilën ata e shfrytëzonin për fshehjen e narkotikeve. Aty u gjetën 5 paketime marihuanë me peshë 6 kg e 206 gramë, 3 peshore elektronike , qese për paketimin e narkotikëve, folije alumini, një palë doreza dhe një armë e zezë dhe 3 fishekë. Ndërsa në banesën e të dyshuarit A.SH. janë gjetur 11 paketime dhe një cigare e mbushur me marihuanë me peshë prej 25.1 gramë. Te B.D janë gjetur dhe konfiskuar një shumë e parave prej 7,240 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga vepra penale e shitjes se narkotikëve. Te vozitësi i ‘taxit’, R. I janë konfiskuar 50 euro ( pagesa e transportit) . Te A.D. u konfiskuarn 205 euro.

Gjithashtu janë konfiskuar 5 telefona celularë dhe tri veturat e përfshira në planin e transportimit të drogës.

Rasti është duke u hetuar